Champions, kualifikohen Roma dhe Arsenali

09/12/2015 00:00

Është mbyllur me surpriza faza e grupeve të Ligës së Kampioneve. Arsenali shkatërroi 0-3 Olimpiakosin në Athinë, triumf i minutave të fundit ky që i jep të drejtën londinezëve të jenë prezent në Champions edhe në raundin tjetër.

Pas Manchester United, skuadra të mëdha që u eliminuan janë edhe Porto, Bayern Leverkusen dhe Valencia, por që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Europa League.

Portugezët e Portos u mundën 2-0 nga Chelsea i cili siguroi vendin e parë në Grupin G. Ndërkohë, fitorja e Dinamos së Kievit 1-0 ndaj Tel Aviv, e zbriti Porton në vendin e tretë dhe e la jashtë fazës tjetër të Championsit.

Leverkusen nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me Barcelonën, një rezultat i pamjaftueshëm për gjermanët. Vendin e dytë në Grupin E e mbajti Roma e cila barazoi pa gola me Bate Borisov.

Surpriza e mbrëmjes ishte Valencia e cila u eleminuan pasi u mund 0-2 në fushën e vet nga Lyoni. Një fillim jo i mbarë për trajnerin e ri të spanjollëve, Gary Neville, i cili për herë të parë ishte në pankinën e Valencias.

Top Channel