Diego Costa: Nuk e përjashtoj kthimin te Atletico

10/12/2015 11:15

Diego Costa mund të kthehet te Atletico Madrid. Është vetë sulmuesi i Chelsea ai që e ka lënë të nënkuptohet një lëvizje e tillë në një intervistë për median spanjolle. Diego Costa nuk është në formën e tij më të mirë në këtë sezon në Premier League, ndërkohë që ka pranuar se është ende një tifoz i skuadrës madrilene.

“Asnjëherë nuk dihet se çfarë ndodh në futboll. Shikoni ku ndodhet Filipe Luis tani. Gjithnjë kam uruar më të mirën për Atletico Madrid dhe e kam mbështetur në çdo ndeshje të saj”, deklaroi sulmuesi brazilian për “Onda Cero”.

Chelsea dhe Atletico Madrid u kualifikuan për në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve si fituese të grupeve respektive, kështu që nuk do të ketë një përballje mes tyre në këtë fazë të aktivitetit. Kjo mund të ndodhë në çerekfinale, gjithnjë nëse këto dy skuadra do të mund të kualifikohen, por Diego Costa dëshiron të evitojë skuadrën spanjolle.

“Shpresoj që të mos na duhet të përballemi me Atleticon. Është një skuadër ndaj së cilës nuk mund të ndihesh komod. Nëse do të më duhet të zgjidhja, do të preferoja një përballje me të në finale”, tha Costa.

Top Channel