Manchester City ofron 40 milionë euro për Icardin

10/12/2015 11:20

E ardhmja e Mauro Icardit te Interi po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim. Sulmuesi argjentinas nuk po jeton momentin më të mirë te klubi zikaltër, pasi nuk është më titullar i padiskutueshëm në skuadër. Megjithatë, aftësitë e këtij futbollisti vlerësohen në maksimum, sidomos në Angli, ku janë disa klube që kanë shfaqur interes për të.

Fillimisht ishte Arsenali ai që hodhi idenë për blerjen e kartonit të tij në muajin qershor, kurse tani në gjurmët e Icardit është vënë edhe Manchester City. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “La Gazzetta dello Sport”, “Citizens” janë gati të shpenzojnë 40 milionë euro për të bindur drejtuesit e Interit që të lejojnë transferimin e argjentinasit në “Ettihad Stadium”.

Manchester City ka vendosur të nxjerrë në merkato Wilfried Bony dhe për këtë arsye klubi anglez kërkon që të blejë një sulmues me peshë si Icardi. Ndërkaq, vetë Icardi ka dyshimet e tij në lidhje me një transferim në Premier League. Sulmuesi preferon të mos largohet nga Milano, kjo edhe për faktin se kalimi në Angli do të kërkojë edhe transferimin e të gjithë familjes, një situatë kjo e vështirë për Icardin, duke parë edhe moshën e fëmijëve të tij dhe Wanda Narës.

Top Channel