IAAF hetohet sërish për caktimin e Botërorit 2021

10/12/2015 11:30

Skandali ka mbërthyer botën e sportit. Pas FIFA-s, në qendër të saj është vënë edhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), edhe kjo për korrupsion. Tashmë, në këtë histori janë përfshirë edhe organet fiskale franceze, të cilët kanë nisur hetimet ndaj IAAF-së në lidhje me caktimin e qytetit Eugene për organizimin e Botërorit të vitit 2021.

Lajmi u konfirmua nga një prej zëdhënësve të këtyre organeve fiskale, të cilët deklaruan se këto hetime nisën duke marrë shkas edhe nga publikimet e fundit në media në lidhje me këtë çështje.

“Në këtë pikë nuk mund të arrijmë në asnjë përfundim. Ne mendojmë se ka elementë të mjaftueshëm për të bërë kontrollet tona”, tha zëdhënësi i prokurorisë franceze.

IAAF e mori vendimin për t’ia dhënë të drejtën qytetit Eugene për Botërorin e Atletikës në vitin 2021 në muajin prill, edhe pse nuk kishte paraqitur kandidaturë të saj, duke befasuar Goteborgun, Komiteti Organizativ i të cilit e kishte dërguar dokumentacionin për këtë proces.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Sebastian Ko, së fundmi deklaroi se vendimi ishte marrë pas një prezantimi të ish-kreut të këtij institucioni, Lamin Diak, me këtë të fundit që theksoi se Eugene ofronte mundësi më të mëdha përfitimi në aspektin financiar dhe të marketingut.

SHBA asnjëherë nuk ka mundur të organizojë botërorë të atletikës që nga momenti që filloi të mbahej një event i tillë në vitin 1983. Në muajin prill, këshillli i IAAF vendosi me 23 vota pro dhe 1 abstenim t’i japë të drejtën Eugene për organizimin e këtij aktiviteti. Ndërkaq, ish-presidenti i IAAF tashmë është nën hetim nga organet e drejtësisë për korrupsion dhe për fshehje të rezultateve pozitive të atletëve në testet antidoping.

Top Channel