ISIS, Carter: Gati të intensifikojmë fushatën në Irak

10/12/2015 12:15

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter është shprehur i gatshëm të përfundojë punën e nisur nga irakenët kundër Shtetit Islamik në qytetin e Ramadit, të pushtuar prej grupit të dhunshëm ekstremist në muajin maj.

Shtetet e Bashkuara, sipas numrit një të Pentagonit, do të dërgojnë këshilltarë ushtarakë e helikopterë nëse Bagdadi ia kërkon një gjë të tillë.

“Forcat irakene të sigurisë po e zvarrisin shumë shkëputjen e këtij territori nga kthetrat e ISIS-it”, ishte mesazhi i përcjellë prej tij në seancën dëgjimore të komitetit të shërbimeve të armatosura në Senatin amerikan.

Amerika është në luftë me ISIS-in, tha Carter, dhe është e përgatitur të intensifikojë fushatën e saj ushtarake kundër organizatës xhihadiste me forca shtesë, për t’i ndihmuar ta përmbyllin detyrën e tyre.

“Nëse e diktojnë rrethanat dhe nëse e kërkon kryeministri Abadi, ne jemi gati të dërgojmë helikopterë luftarakë dhe bashkë me ta edhe trupa me mision këshillues”, ishte deklarata e tij.

Zyrtari i lartë theksoi se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një avancim të ndjeshëm ndaj ISIS-it, përfshirë këtu rimarrjen e qendrës operacionale të Anbarit, të ndodhur në brigjet veriore të lumit Eufrat.

Kryetari republikan i komitetit të shërbimeve të armatosura, senatori John McCain bëri thirrje që të dërgohen më shumë trupa amerikane, me qëllim frenimin e Shtetit Islamik.

“Atje ka 20 apo 30.000 vetë dhe këta njerëz nuk janë gjigandë. Dikush të vijë e të më bindë se goditjet nga ajri do të arrijnë ta kryejnë të gjithë punën të vetme”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë u tregua megjithatë e kujdesshme të mos i jepte një ton zyrtar deklaratave të Carter me pohimet saj se, presidenti Obama nuk e ka aprovuar ende dërgimin e helikopterëve dhe se përpara çdo hapi të mundshëm do të duhej që kryeministri iraken të bënte kërkesë për ndihmë.

Top Channel