Të vegjlit e Realit marrin shembull Barcelonën

10/12/2015 13:00

Loja e shfaqur nga Barcelona në “Klasiken” e fituar 0-4 ndaj Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu” i është dhënë si shembulli që duhet ndjekur futbollistëve të skuadrave të të rinjve të klubit “merengues” dhe kjo gjë e ka tërbuar fare trajnerin Rafa Benitez.

Sipas gazetës “Marca”, në mbledhjen e zakonshme që mbajnë çdo javë trajnerët e grupmoshave të Realit, shefat e “kanterës” (Victor Fernandez dhe Juan Luis Martinez) i kanë vënë të shikojnë videon e fitores së Barcelonës dhe kanë vlerësuar lojën e kundërshtarëve të përjetshëm.

Kjo gjë, gjithmonë sipas gazetës “Marca”, ka bërë që trajneri i skuadrës së parë të Realit të Madridit të ankohej te drejtuesit më të lartë të klubit, të cilët nga ana e tyre i kanë paralajmëruar shefat e grupmoshave të Realit që të mos e përsërisin më marrjen shembull të rivalëve të përjetshëm katalanas.

Top Channel