Nis dekorimi i Prishtinës për festat e fundvitit

10/12/2015 13:50

Prishtina ka nisur dekorimin e shesheve kryesore të qytetit për festat e fundvitit.

Komuna ka njoftuar se këtë vit dekorimi do të duket më ndryshe se vitet e kaluara, ku përveç shesheve kryesore do të stolisen edhe shumë rrugë e bulevarde të kryeqytetit, si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, “George Bush”, “Bill Clinton”, rrugët “Ukshin Hoti”, “Garibaldi”, “Luan Haradinaj”, “Migjeni”, “UCK”, “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”.

Në sheshin “Zahir Pajazit”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu” do të vendoset nga një bredh dhe në të dy anët e shesheve nga një hark i stolisur. Bredh do të ketë edhe në hyrje të Prishtinës, në Veternik dhe te vendi i njohur si “Rrethi i spitalit”.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje edhe me disa kompani të mëdha për dekorimin e kryeqytetit.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” do të vendosen 20 shtëpiza druri, me të cilat do të organizohet “Tregu i fundvitit”, i cili ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla me ide kreative dhe ku do të shiten produkte ushqimore, suvenire dhe kartolina punëdore.

Sipas zyrtarëve për informim në Komunën e Prishtinës, stolisja e kryeqytetit pritet të finalizohet në fund të kësaj jave.

Top Channel