Korea e Veriut: Kemi bombë me hidrogjen

10/12/2015 00:00

Kemi një bombë me hidrogjen dhe nëse do të jetë e nevojshme, do ta përdorim për të mbrojtur sovranitetin tonë.

Në veshët e komunitetit ndërkombëtar deklarata e liderit koreano-verior Kim Jong Un tingëllon si një mesazh paralajmërues, që nuk bën gjë tjetër veçse shton sërish tensionet në rajon e më gjerë.

Agjencia shteterore e lajmeve, KCNA e citon liderin e vendit komunist të pohojë se “Koreja e Veriut mund të përdorë në çdo moment bombën me hidrogjen, ashtu siç mund të lëshojë edhe një bombë atomike”. Nëse të tilla pretendime rezultojnë  të vërteta, atëherë ky do të jetë një zhvillim tepër i rëndësishëm sa i takon aftësive nukleare të Penianit.

Megjithatë, deri më tani deklarata nuk është verifikuar dot në mënyrë të pavarur dhe mjaft ekspertë shprehen skeptikë, ndërsa funksionarë të shërbimeve sekrete koreano-jugore e shprehin hapur mosbesimin e tyre. Vështirë ta mendosh se Peniani disponon vërtet teknologjinë e nevojshme për prodhimin e bombës H, thonë zyrtarët në fjalë.

Në 2005-ën, Koreja e Veriut deklaroi se ishte në zotërim të bombës atomike, pohime këto që ngjallën reagimin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar. Shteti komunist ka kryer një sërë testesh nukleare në 2006-tën, 2009-tën e së fundi në 2013-tën.

Pas provave të përpara dy viteve, qeveria e Kim Jong Un-it edhe u sanksionua sepse kërcënoi drejtperdrejtë fqinjën e saj, Korenë e Jugut dhe vetë Amerikën. Bomba me hidrogjen është një armë tejet e fuqishme e shkatërrimit në masë, e përdor fuzionin për të krijuar një shpërthim akoma më të madh se ai i një arme bërthamore bazike. Ndonëse Peniani mburret prej kohësh me aftësitë e veta atomike, kjo është hera e parë që regjimi diktatorial koreano-verior përmend krijimin e bombës H. 

Top Channel