Vetëvendosje “skanon” vitin e parë të qeverisë “Mustafa”

10/12/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një konference për shtyp, ka kritikuar vitin e parë të qeverisjes “Mustafa-Thaçi”, duke cilësuar si dështimin më të madh mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Ndërsa, lidhur me nënshkrimin e MSA-së, që një ditë më parë u vlerësua si arritja më e madhe nga kryeministri, Isa Mustafa, Ymeri tha se kjo marrëveshje ka përmbajtje skandaloze.

“Natyrisht që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është formalisht një lajm i mirë për Kosovën. Megjithatë, përmbajtja e kësaj marrëveshjeje është skandaloze, për shkak se ajo ka dy të meta jashtëzakonisht të mëdha. E para, ajo e vendos Kosovën në disa binarë të rrugëtimit të saj drejt BE, me një status të paqartë. Dhe e meta e dytë kryesore është se, kjo marrëveshje më shumë e kushtëzon Kosovën sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshjeve, dialogut e të tjera; sesa fuqizon sovranitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

I pyetur nëse opozita ka marrë përgjigje nga Presidentja Jahjaga lidhur me kërkesat e tyre, Ymeri tha se nuk kanë pranuar dhe as që presin ndonjë përgjigje. Duke marrë parasysh se, nuk ka ndonjë ndryshim lidhur me kërkesat e opozitës, Ymeri konfirmoi se edhe në seancën e thirrur për të hënën, veprimet e tyre në Kuvend do të jenë të njëjta.

“Për sa i përket sjelljes sonë në Kuvend, natyrisht që ajo nuk ndryshon fare, sepse nuk ka ndryshuar realiteti politik karshi kësaj çështjeje. Pra, për sa kohë që këto marrëveshje vazhdojnë ta kërcënojnë Republikën e Kosovës, – ‘Zajednica’ në njërën anë, ‘demarkacioni’ në anën tjetër, – natyrisht që sjellja jonë do të jetë e njëjtë dhe natyrisht që do të ketë intensifikim të aktiviteteve kundërshtuese karshi këtyre marrëveshjeve”, tha më tej Visar Ymeri.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ky vit u karakterizua me ikjen e rreth 100 mijë qytetarëve, ndjekjen e 326 aktivistëve dhe deputetëve, intensifikimin e kapjes së shtetit në baza partiake, falja e borxheve në ndihmë të bizneseve të pandershme, e të tjera.

Top Channel