Ecclestone: Mercedes dhe Ferrari po shkatërrojnë F1

10/12/2015 17:00

Mercedes dhe Ferrari po shkatërrojnë Formula 1 duke përdorur pushtetin që kanë në këtë sport për të mos pranuar ndryshimet në rregullat e garave.

Kjo është deklarata e Bernie Ecclestone. Bosi i Formulës 1, në një intervistë për BBC Sport akuzon skuadrën gjermane dhe atë italiane për një pakt mes njëra-tjetrës për të bllokuar miratimin e ndryshimeve të propozuara prej tij.

“Ne po përpiqemi ta shpëtojmë këtë sport”, thotë Ecclestone duke shtuar se Ferrari kish nisur një letër në drejtim të bordit drejtues të FIA-s, ku thuhej se Bernie Ecclestone nuk gëzonte mandatin për të ndryshuar rregullat e lojës.

Megjithatë, një mbledhje e Këshillit të FIA-s javën e kaluar, miratoi autorizoi Ecclestone dhe presidentin Jean Todt “që të hartojnë listën me këshilla dhe vendime për një sërë çështjesh në Formula 1”.

Por pavarësisht këtij autorizimi, Ecclestone në intervistën dhënë për BBC la të kuptohej se “i ka duart e lidhura” nëse do të ketë kundër Ferrarin dhe Mercedesin. Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë, që të dyja këto skuderi kanë pushtet të fortë të tërthortë në krahasim me skuadrat e tjera pasi furnizojnë me motorë më shumë se gjysmën e skuderive pjesëmarrëse në Formula 1.

Akuzat e Ecclestone u përqendruan më shumë tek Mercedes, të cilin e akuzon se ka ndihmuar Ferrarin në ndërtimin e motorit të vet duke shkelur rregullat e FIA-s.

Top Channel