Jahjaga e Delawie, në mbështetje të të drejtave pronësore të grave

10/12/2015 00:00

Legjislacioni në Kosovë garanton që çdo fëmijë, vajzë apo djalë, ka të drejtë të barabartë trashëgimie në pronë, por kur bëhet fjalë për vajzat, normat ligjore pothuajse nuk vlejnë.

Në familjet kosovare, pasuria e trashëguar ndahet ende mes burrave të familjes, ndërsa vajzat supozohet që duhet të jetojnë nga pasuria e bashkëshortit. Një fushatë ndërgjegjësimi për të drejtën e barabartë pronësorë të burrave dhe të grave, është lançuar së fundi në bashkëpunim midis ambasadave të huaja dhe Presidentes së Kosovës.

“Jemi të përkushtuar të mbrojmë këto të drejta, pasi gratë janë gjysma e shoqërisë dhe potenciali i tyre ekonomik mund të kthehet në katalizator të mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë, si dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike për vendin tonë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Sipas një hulumtimi të USAID-it, në prill të këtij viti, vetëm 4 për qind e grave në Kosovë kanë trashëguar pasurinë e paluajtshme nga prindërit e tyre. Ndërsa 90 për qind e qytetarëve besojnë se, gratë heqin dorë vullnetarisht nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën.

“Si rezultat i vështirësive, me të cilat ballafaqohen gratë në Kosovë për trashëgiminë e pronës, ato janë të përjashtuara si aktorë ekonomikë, si sipërmarrëse dhe si investitore. Duke e lënë jashtë gjysmën e popullsisë, shohim se Kosova nuk po i shfrytëzon potencialet e plota të shoqërisë. Kjo është një humbje në ekonomi, që Kosova nuk mund ta përballojë”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se gratë, në të shumtën e rasteve, shndërrohen në viktima të dhunës në familje, kryesisht nga bashkëshorti. Sipas sociologes Sibel Halimi, situata është pasojë e një sistemi patriarkal të vlerave, dokeve dhe zakoneve, të cilave shoqëria kosovare ende u qëndron besnike.

“Ky është një problem zinxhir. Natyrisht që çështjet gjinore fillojnë në familje dhe përfundojnë edhe në instanca të tjera, por ne nuk duhet ta lëmë familjen në duar të familjarëve, prandaj duhet të ekzistojnë dhe të jenë të zbatueshme ligjet kushtetuese. Me anë të zbatimit të këtyre ligjeve, ne kemi mundësi të ndërhyjmë në sferën private dhe të krijojmë të drejta të barabarta për burrat, gratë dhe fëmijët”, tha Sibel Halimi, sociologe.

Nisur nga Kushtetuta e Kosovës, e cila garanton barazinë gjinore, Kosova ka një varg mekanizmash të tjerë institucionalë për këtë qëllim, ligjin për barazinë gjinore dhe familjen. Por, hulumtimi i fundit i USAID-it tregon se, mbi 70 për qind e kosovarëve nuk kanë informata bazë për të drejtat e tyre në pronë.

Top Channel