ISIS, vritet shefi i Financave të Shtetit Islamik

10/12/2015 00:00

Shefi i Financave të të ashtuquajturit “Shtet Islamik” është vrarë nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi ushtarak i SHBA-ve gjatë kësaj të enjteje.

Muwaffaq Mustafa Mohammed al-Karmoush, i njohur ndryshe si Abu Salah, si dhe dy udhëheqës të tjerë të lartë të grupit xhihadist janë vrarë pas sulmeve që ka ndodhur “përgjatë javëve të fundit”. Megjithatë, asnjë detaj tjetër nuk është dhënë mbi këtë çështje.

Koalicioni i udhëhequr prej SHBA-ve po kryen sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri prej  më shumë se një viti. Gjatë sulmeve të fundit thuhet se është vrarë edhe kreu i ISIS në Libi.

Zëdhënësi ushtarak amerikan, kolonel Steve Warren konfirmoi vdekjet përmes një videokonference nga kryeqyteti iraken, Bagdad. Abu Salah ishte përfshirë në listën e antiterrorizmit të Thesarit amerikan, ku përcaktohen individët ndaj të cilëve vihen sanksione ekonomike. Në listë, ai figuron si një shtetas iraken, i lindur më 1973-shin.

Koloneli Warren e quajti Abu Salahun si “një prej personave më të lartë në hierarki dhe me më shumë eksperiencë” mes rrjetit financiar të grupit ekstremist. Ai tha se mes viktimave të tjerë besohet të jenë edhe shefi përgjegjës për aktivitetet e zhvatjes, si dhe një oficer ekzekutiv, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

Top Channel