Gjuetia e terroristëve, edhe Gjeneva rrit nivelin e alarmit

10/12/2015 00:00

Policia zvicerane rriti nivelin e alarmit në Gjenevë, ndërsa zyrtarë të saj lajmëruan se po kërkojnë disa të dyshuar në kuadër të hetimit mbareuropian për sulmet në Paris.

Hetuesit zviceranë thanë se morën informacione, që persona të dyshimtë fshihen në Gjenevë dhe, për këtë arsye, autoritetet u vunë në lëvizje.

Në një deklaratë të policisë zvicerane shkruhet se, po merren masa për të gjetur dhe arrestuar individët e dyshimtë. Hetimi për sulmet e 13 nëntorit në Paris, ku u vranë 130 persona, kanë përfshirë disa vende europiane.

Një prej agresorëve të Parisit, Salah Abdeslam është ende në arrati. Mediat zvicerane bënë me dije se, pas rritjes së nivelit të alarmit u shfaqën roje sigurie me armë automatike jashtë zyrave të OKB-së në Gjenevë.

Një prej tyre mësohet t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” se, policia po kërkon për të paktën 4 persona në Gjenevë.

Më herët, mediet publikuan lajme për operacionin e dështuar të forcave të sigurisë greke, për të arrestuar organizatorin e sulmeve në Paris, Abdelhamid Abaaoud. Autoritetet greke kishin në plan ta arrestonin atë janarin e shkuar, kur ai drejtonte një celulë terroriste belge nga Athina.

Top Channel