Argjentinë, presidenti i ri betohet dhe premton bashkimin e vendit

10/12/2015 00:00

Mauricio Macri është betuar si Presidenti i ri i Argjentinës, me premtimin se do të bashkojë vendin dhe do të rigjallërojë ekonominë. Në fjalimin e tij në Kongres, Macri u zotua të luftojë korrupsionin, varfërinë dhe trafikun e drogës. Ai premtoi gjtihashtu se do të bashkëpunonte me opozitën dhe se do t’i jepte fund përplasjeve në politikë.

“Si president, dua të jem një qytetar, i cili mund të komunikojë me të gjithë argjentinasit. Politika për mua nuk është një konkurs për të parë se kush ka egon më të madhe. Ajo nënkupton të punosh në grup për të mirën e popullit. Sot, një ëndërr e madhe u realizua”, tha Macri.

Macri triumfoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, muajin e kaluar, duke mundur kandidatin e zgjedhur nga Presidentja parardhëse Christina Fernandez de Kirchner, Daniel Sjoli. Ai ka premtuar të heqë dorë nga modeli i ekonomisë së kontrolluar kryesisht nga shteti, nën udhëheqjen e Ferndandez, në favor të një ekonomie të orientuar drejt tregtisë së lirë.

Macri u zotua gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-të. Presidenti i ri tha se, ata që e kishin votuar donin 3 gjëra: zero varfëri, fundin e trafikut të drogës dhe bashkimin e argjentinasve.

Më pas, Macri shkoi në pallatin presidencial, ku iu dorëzuan simbolet e Presidencës, shkopi dhe shiriti. Ceremonia e betimit të Macrit u bojkotua nga ish-presidentja, e cila kërkoi që dorëzimi i simboleve të bëhej gjithashtu në Kongres, ku partia e saj gëzon shumicën.

Sipas Fernandez, kjo ishte një traditë e vendosur prej saj dhe bashkëshortit, ish-presidentit të ndarë nga jeta, Nestor Kirchner. Fernandez mbajti një fjalim emocionues lamtumire për mbështetësit e saj mbrëmjen e së mërkurës, duke u kërkuar atyre të dilnin në protesta, nëse do të ndiheshin të tradhtuar nga qeveria e re e qendrës së djathtë.

Top Channel