Terrorizmi, impakt në turizëm; 8.2 miliardë dollarë, kostoja e humbjeve në 2015-n

11/12/2015 00:00

Ekzekutimet masive në muzeun “Bardo”, ndjekur nga sulmi në bregdetin e Tunizisë, rrëzimi i avionit rus në Sharm el-Sheik,  sulmet terroriste të Parisit , apo ai i fundit në Amerikën e largët, kanë dhënë edhe impaktin e tyre në turizëm.

Ky ka qenë një vit fatal për sa i përket numrit të viktimave që ishin thjesht pushues, të cilët u shënjestruan nga ISIS.

2015-ta ka gjeneruar shqetësime serioze për të ardhmen afatgjate të turizmit, pasi ai afatshkurtër ka dhënë pasojat e para. 8.2 miliardë dollarë është edhe kostoja që i ka faturuar deri më tani terrorizmi industrisë së turizmit.

Mijëra persona kanë anuluar fluturimet e tyre. Sipas një harte të “Foreign Office” ( zyrës britanike), Tunizia, Egjipti, Maroku dhe Turqia , Libia dhe Algjeria paraqiten si destinacionet më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni.

Nivel të lartë alarmi mban edhe Franca me Spanjën, çka e pasqyron edhe ngjyra e kuqe hartë. Parisi është një nga destinanacionet më të preferuara, kryesisht në sezonin e festave, por sipas të dhënave të fundit, ekonomia e Francës ka rënë, çka sipas ekspertëve lidhet drejtpërdrejtë me sektorin e turizmit që përbën 8% të buxhetit të vendit. Shifrat tregojnë se ekonomia po i afrohet recesionit.

Megjithatë qeveritë europiane nuk i kanë ndaluar qytetarët e tyre të anulojnë pushimet në Francë apo Spanjë, veçse i kanë këshilluar që të jenë më tepër vigjilentë. Por, për sa i përket Lindjes së Mesme masat janë drastike. Gjermania, Britania dhe disa vende të tjera kanë ndaluar fluturimet drejt Egjiptit dhe disa zonave të tjera turistike.

Tunizia dhe Sharm el-Sheik janë kthyer në vende fantazmë, pasi shumica e hoteleve apo vendeve të pushimit janë të zbrazura. Njëherësh goditje kanë pësuar agjencitë turistike, linjat e fluturimeve, dhe resortet e mëdha.

Por, terrorizmi ka ndryshuar edhe drejtimin e pushuesve. “Foreign Office” i këshillon turistët se Zvicra është alternativa më e sigurt për pushime, po ashtu edhe Hungaria, Irlanda, Islanda,apo Malta. Klasifikimi përfshin edhe shumë ishuj të tjerë të veçuar nga zonat e mbipopulluara.

Megjithatë, sipas një analize të “Financial Times”, gjurmët e sulmeve ngelin tek të afërmit e viktimave ose tek ata që kanë qenë prezent në skenat e dhunshme, ndërsa turistet i harrojnë shpejt këto episode famëkeqe, duke dalë në përfundimin se industria e turizmit do e marrë veten shpejt.

Top Channel