Opozita siriane: Gati për bisedime me Assad

11/12/2015 10:10

Fraksionet e opozitës së përçarë siriane, që luftojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad, kanë rënë dakort për nisjen e bisedimeve të paqes.

Lajmi njoftohet nga agjencia Reuters. Në deklaratën e nënshkruar nga rebelët bëhet thirrje për “pluralizëm dhe një regjim gjithpërfshirës në Siri. Në dokument sanksionohet gjithashtu se presidenti Bashar al-Assad dhe njerëzit e tij më të afërt nuk mund të luajnë asnjë rol në periudhën tranzitore të vendit.

Ka raportime kontradiktore nëse ky dokument është firmosur nga drejtuesit e Ahrar al-Sham, grupi më i fuqishëm i opozitës siriane. Më herët, drejtues të këtij grupi shprehën rezervat për rolin e rëndësishëm të disa figurave të njohur si ndihmës të afërt të Assad.

Megjithatë, Reuters thotë se grupi firmosi deklaratën e përbashkët të opozitës në fund të bisedimeve dyditore.

Fuqitë e mëdha kërkojnë që bisedimet e paqes mes një opozite të bashkuar dhe presidentit Bashar al-Assad për t’i dhënë fund konfliktit, që për 4 vite e gjysmë ka shkaktuar mbi 200 mijë të vdekur, ka dëbuar miliona të tjerë dhe ka shkatërruar vendin, të nisin më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Sipas mediave arabe, opozita siriane ka hequr dorë nga kushti i vendosur më herët, ku kërkohej largimi i Bashar al Assad para nisjes së bisedimeve të paqes. Në deklaratën e përbashkët të opozitës, thuhet se Assad mund të qëndrojë në pushtet deri në formimin e një qeverie tranzitore.

Top Channel