Baroni i drogës kërcënon ISIS-in: Do t’u pres gjuhën!

11/12/2015 10:55

Koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-t i bashkohet një tjetër “aleat”, por jo për të ndalur terrorin e ekstremistëve, por për prishje biznesi.

Baroni meksikan i drogës, El Chapo, numri një në listën e të shumëkërkuarve të FBI-së, u ka shpallur luftë xhihadistëve pas raportimeve se i kanë mbytur një anije me kokainë që kishte si destinacion vendet e Gjirit, ku kërkesa për këtë drogë besohet se është rritur nga sheikët e naftës.

Letra që mendohet se Joaquim ‘El Chapo’ Guzman ka nisur në adresë të udhëheqësit të ISIS-t, Abu Bakr al-Baghdadi është publikuar në internet nga një bloger meksikan, i njohur për lidhjet e tij me kartelin e Sinaloas.

“Ju nuk jeni ushtarë. Zoti juaj nuk mund t’ju shpëtojë nga terrori i vërtetë që njerëzit e mi do të lëshojnë mbi ju nëse vazhdoni të më shkatërroni operacionet e mia. Njerëzit e mi do t’ju shkatërrojnë. Bota nuk është e juaj. Biri i k..vës i radhës që do të guxojë të ndërhyjë në bizneset e kartelit të Sinaloas do të përfundojë keq. Gjuhën dhe zemrën e tij do t’i ruaj si trofe”, thuhet në letër.

Ka raportime se kartelet e drogës amerikano-latine po lëvizin sasi më të mëdha kokaine në drejtim të vendeve të Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme pasi është rritur kërkesa e pasanikëve jo të paktë në këtë pjesë të globit. Megjithatë, duket se më shumë sesa njësitë antidrogë e antitrafik, pengesë për këto kartele po bëhet ISIS-i, që ndalon përdorimin e lëndëve narkotike.

Top Channel