Klima, negociatorët vazhdojnë diskutimin e pikave te draftit

11/12/2015 00:00

Në garë me kohën për të mos e zvarritur më vulosjen e një marrëveshjeje të re të klimës, negociatorët në Paris kaluan një tjetër natë diskutimesh të ethshme.

Shefi i diplomacisë franceze Laurent Fabius ka vendosur afate kohore e pret që ato të respektohen. “Them se do t`ia dalim”, deklaroi ai dukshëm i lodhur, ndërsa delegatët kishin kaluar në duart e tyre draftin e tretë e të rishikuar të përgatitur nga presidenca franceze.

Për tekstin e ri të marrëveshjes, është punuar që të mërkurën. Ky konsiderohet një prej momenteve më të rëndësishme të sagës së diskutimeve të nisura nëe 2011-tën mbi një pakt të ri global të klimës, i cili do të parashtrojë strategjinë afat-gjatë mbi mënyrat sesi do të mund të përballohen ndryshimet e saj.

Çdo ujdi e firmosur në Paris hyn në fuqi vetëm në 2020-tën. Pavarësisht progresit të arritur në sallën e konferencës së njohur si COP21, ka ende pyetje që mbeten pa një përgjigje të qartë, përfshirë ato që kanë të bëjnë me financimin e përpjekjeve të klimës apo demarkacionin e vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Vendet e pasura këmbëngulin të ndryshohet ndarja e bërë në 1992-shin kur hyri në fuqi konventa kornizë e OKB-së për ndryshimet klimaterike. Në këndvështrimin e tyre, peshën e uljes së emëtimeve duhet ta ndajnë më shumë ekonomi në rritje, të cilat edhe të garantojnë financim për kombet e varfra e të goditura më fort nga rritja e temperaturave.

Të pasurit këmbëngulin po kështu në krijimin e një sistemi të vetëm verifikimi të premtimeve për të gjithë vendet me radhë. Shpresat janë që dita e sotme të prodhojë një tekst final marrëveshjeje. Kemi katër vjet që punojmë për këtë ujdi, deklaroi komisioneri europian i klimes, Miguel Arias Canete, dhe nuk mund të dështojmë tani sepse koha nuk pret më.

Top Channel