BE: Ndihmë Maqedonisë dhe Serbisë në përballjen e krizës me refugjatët

11/12/2015 13:15

Nga Komisioni Evropian kanë njoftuar se Serbisë dhe Maqedonisë do t’i lejohet një ndihmë prej 13 milionë eurosh për të përballuar krizën e emigrantëve.

Sipas Komisionarit Evropian për Ndihmë Humanitare, Christos Stylianides, kjo ndihmë shtesë ndahet për shkak se gjatë periudhë së dimrit, përgjatë rrugëtimit nëpër Ballkanin Perëndimor, shumë refugjatë përballen me kushte të vështira jetësore.

Nga Komisioni Evropian kanë njoftuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, gjer më tani, kanë marrë një ndihmë humanitare prej gjithsej 21.74 milionë eurosh.
 
Ndërkohë, edhe nga Ambasada Gjermane në Shkup, të premten kanë njoftuar se Gjermania do e ndihmojë Maqedoninë në përballjen e krizës me refugjatët me 2 milionë euro.

Edhe në gusht të vitit 2015, Gjermania i ka dhënë Maqedonisë 200 mijë euro ndihmë emergjente për refugjatët që kalonin tranzit nëpër këtë vend.

Top Channel