Maqedoni-Serbi, acarohen marrëdhëniet për shkak të Kosovës

11/12/2015 14:20

Mediat serbe raportojnë për acarimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Shkupit zyrtar për shkak të një tabele rrugore në të cilën është vënë mbishkrimi “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Tabela që është vënë para dhjetë ditësh, në pjesën e rrugës të sapohapur të Korridorit 10 te Vladiçi Han, e ka hidhëruar Shkupin zyrtar dhe është thirrur urgjentisht për këshillime ambasadorja e Serbisë në Shkup, Dushanka Divjak- Tomiç, së cilës i është përcjellë edhe demarshi verbal.
 
Ndërkohë, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka thënë se ai nuk sheh arsye për vërejtjet e Shkupit.

“Atyre nuk i pëlqen kjo tabelë, e neve u dashka të mos na pengojë pse ata votuan në UNESCO pranimin e Kosovës”, ka thënë për mediat Ivica Daçiç, duke shtuar se ambasadorja e Serbisë në Shkup ua ka përcjellë maqedonasve këtë qëndrim të Beogradit zyrtar.
 
Zyrtarë maqedonas kanë thënë se Serbia e ka njohur vendin me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë dhe andaj ata kërkojnë që tabela me këtë mbishkrim të hiqet urgjentisht.
 
Ministri Daçiç është kategorike se tabela me mbishkrimin IRJM nuk do të hiqet, duke shtuar se njohja e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues është bërë në kohën e Millosheviçit.

Top Channel