Putin paralajmëron: Shkatërroni çdo kërcënim për ushtrinë tonë në Siri

11/12/2015 00:00

Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë ruse të ndërmarrë veprimet më të ashpra të mundshme ndaj çdo kërcënimi, që i kanoset forcave të saj në Siri. Shënjestra të tilla do të shkatërrohen në moment, ishte deklarata e shefit të Kremlinit, që preferoi të mos hynte në detaje.

Por, pohimet e Putinit vijnë në sfondin e tensioneve të përshkallëzuara me Turqinë, çfarë lë të kuptohet se paralajmërimi, edhe pse jo i drejtpërdrejtë, mund të jetë një shigjetim për Ankaranë.

Sulmet ruse në Siri nisën në shtator, me pretendimin se kjo ishte kërkesa e Presidentit sirian, Bashar al-Assad. Putin u tha krerëve ushtarakë se, terroristët në Siri përbënin një kërcënim për vet Rrusinë, e për këtë arsye, një bazë ushtarake e Moskës në atë vend do të marrë pajisje mbrojtëse shtesë, e do të përforcohet me njësi të reja ajrore.

Është e rëndësishme, nënvizoi kreu i shtetit rus, të zhvillohet bashkëpunimi me të gjithë shtetet që kanë një interes real në shkatërrimin e terroristëve. Kjo – sipas Putinit, – përfshin vendosjen e kontakteve me forcat ajrore izraelite e ato të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me qëllimin të garantohet siguria e fluturimeve.

Komentet e tij erdhën pak pas njoftimeve se, opozita siriane ra dakort me krijimin e një kornize dhe mekanizmi me spektër të gjerë, i cili t’iu lejojë sa politikanëve të saj, ashtu edhe rebelëve kundërshtarë të regjimit, mundësinë e angazhimit në negociata me qeverinë.

Një zhvillim i tillë shërben si prelud për takimin e planifikuar më vonë gjatë muajit nga fuqitë e huaja, përfshirë Rusinë dhe Iranin, ku do të hidhen bazat e bisedimeve mes rebelëve dhe regjimit, të menduara të mbahen në fillim të janarit.

Top Channel