Minxhozi: Kriza politike në Kosovë, zgjidhje përmes dialogut institucional

11/12/2015 00:00

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi mbajti një ligjëratë mbi zhvillimet politike aktuale, para studentëve në Prishtinë, gjatë së cilës shprehu qëndrimin se Tirana zyrtare e sheh zgjidhjen e krizës politike kosovare përmes dialogut mes pozitës dhe opozitës, brenda institucioneve të shtetit.

Ai tha se, një Kosovë e qëndrueshme është në interes të qytetarëve të saj, në interes të Shqipërisë, por edhe në interes të rajonit.

“Ne jemi tepër të interesuar, që Kosova të ketë një qëndrueshmëri politike. Jemi tepër të interesuar, që Kosova të ketë një zgjidhje, e cila është në duart e politikanëve të Kosovës, të partive politike këtu. Ne jemi në të njëjtën linjë me kërkesën që bëri Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që të ndalohet dhuna dhe zgjidhja të arrihet brenda institucioneve, në interes të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kuadër, edhe përpjekjet tona kanë qenë modeste, jo për të bërë ndërmjetësin, por për të ritheksuar edhe njëherë këtë mesazh të sekretarit Kerry, që çështjet këtu nuk duhet të zgjidhen me dhunë, por brenda institucioneve”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Gjatë ligjëratës para studentëve të një kolegji privat në Prishtinë, ambasadori Minxhozi tha se institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë po punojnë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, sidomos për rritjen e shkëmbimit tregtar.

Minxhozi tha se Shqipëria është e interesuar, që marrëdhëniet me Kosovën të ecin me ritme më të shpejta, ndërsa krizat politike, ai tha se ndikojnë në ngadalësimin e këtyre përpjekjeve.

Top Channel