“Euro 2016”, ja pretendentët për triumf sipas Eurosport

11/12/2015 00:00

Ka filluar numërimi mbrapsht i orëve të fundit, deri në hedhjen e shortit të fazës finale të “Euro 2016”, por hipotezat për fituesin e këtij aktiviteti nuk mungojnë.

“Eurosport”, në versionin online të tij ka bërë një prezantim të 24 skuadrave pjesëmarrëse, duke përcaktuar edhe mundësitë dhe koefiçentët e tyre për triumfin përfundimtar. Kombëtarja shqiptare nuk mund të mungojë në këtë pikë dhe është në rolin e një “outsider”-i.

Shqipëria – Renditja e FIFA-s: 38, kuotohet 300

“Fakti që Shqipëria luan për herë të parë në fazën finale të një aktiviteti të rëndësishëm si ‘Euro 2016’, e vendos atë në rolin e një ‘oustider’ perfekt, – theksohet në faqen e internetit të Eurosportit. – Askush nga futbollistët e kësaj skuadre nuk ka shënuar më shumë se një gol, ndërkohë që ajo e mbylli fazën kualifikuese me vetëm 10 gola në bilancin e saj”.

Gjermania – Renditja e FIFA-s: 4, kuotohet 3.33

Sipas Eurosport, skuadra pretendente kryesore për të fituar titullin në Europianin e Francës është Gjermania, edhe pse kjo e fundit e siguroi kualifikimin vetëm në ndeshjen e fundit të kualifikueseve. Gjermania konsiderohet si një prej skuadrave, që ka në përbërje futbollistë të një klasi të lartë, dhe për këtë mjafton të përmendim emra të tillë si: Schëeinsteiger, Ozil, Muller, Gotze, Reus. Por Gjermania ka në gjirin e saj edhe një futbollist si Toni Kroos, që konsiderohet si pasardhësi i Xavi Hernandez në futbollin modern, për sa i përket numrit të pasimeve të sakta. Ai është i vetmi futbollist, që gjatë kualifikueseve dha mbi 1000 pasime të sakta.

Spanja – Renditja e FIFA-s: 3, kuotohet 6

Pas Gjermanisë, skuadra e dytë pretendente për t’u shpallur kampione e Europës është Spanja. Në vitin 2014, skuadra iberike u eliminua që në fazën e grupeve, duke ndërprerë dominimin e saj në futbollin botëror. Por nuk përjashtohet mundësia, që ajo të rikthehet të jetë padrone e këtij sporti, duke kërkuar të mbrojë titullin e fituar në 2012-n. Tërheqja nga kombëtarja e lojtarëve të tillë, si Xavi Hernandez apo Xabi Alonso, u dha mundësinë lojtarëve të rinj, si Thiago, për të fituar hapësirat e tyre në skuadrën e Del Bosques. Problemi i vetëm i “La Roja”-s është qendërsulmuesi, me Diego Costan që po vazhdon të hasë vështirësi në shënimin e golave me këtë përfaqësuese, që jo pak herë ka gjetur zgjidhjen te mesfushorët Busquets, Iniesta, Koke, Fabregas, Mata, Cazorla, Isco.

Franca – Renditja e FIFA-s: 25, kuotohet 3.5

Franca mund të ishte e dyta në klasifikimin e Eurosport të pretendentëve për fitoren e “Euro 2016”, por skandali i fundit i shantazhit të Valbuenës, ku është i përfshirë edhe Benzema, e pengon për këtë. Sulmuesi i Realit të Madridit është përjashtuar nga kombëtarja deri në mbylljen përfundimtare të kësaj çështjeje, që do të thotë se 27-vjeçari rrezikon të mungojë në ngjarjen më të madhe futbollistike europiane. Gjithsesi, lojtarët e talentuar nuk i mungojnë Deschampsit dhe këtu mjaftojmë të përmendim Raphael Varane, Paul Pogba, Antoine Griezmann, Kingsley Coman apo Anthony Martial.

Belgjika – Renditja e FIFA-s: 1, kuotohet 10

Belgjika është befasia e futbollit europian në vitet e fundit. Për herë të parë në historinë e saj, kjo përfaqësuese e sheh veten në krye të renditjes së FIFA-s dhe kjo, falë një brezi të ri dhe shumë të talentuar futbollistësh. Eden Hazard dhe Thibaut Courtois janë dy prej futbollistëve të konfirmuar në kontinentin e vjetër, por nuk mbeten pas as emra të tillë, si Kevin De Bruyne apo Romelu Lukaku. Në këtë skuadër është e vështirë të gjesh boshllëqe dhe handikapi i vetëm i saj është mungesa e eksperiencës, pavarësisht se në Botërorin e vitit 2014, kjo skuadër arriti të kualifikohej në çerekfinale.

Anglia – Renditja e FIFA-s: 9, kuotohet 10

Anglia e Roy Dodgsonit është e vetmja skuadër, që e mbylli fazën kualifikuese të “Euro 2016” me pikë të plota, duke i fituar të gjitha ndeshjet. Një seri, të cilën ia ndali Spanja në sfidën miqësore të luajtur mes tyre, ndërkohë që suksesi me Francën nuk duhet marrë shumë parasysh, duke parë edhe rrethanat sesi u zhvillua ajo. Gjithsesi, Anglia ka në përbërje lojtarë me cilësi të mira teknike, në aspektin individual, si Dele Alli apo Harry Kane, ndërkohë që po krijohet një grup me shumë të ardhme. Megjithatë, për “Tre luanët” problemet nuk mungojnë. Shqetësimi kryesor është forma e Wayne Rooney, shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i përfaqësueses angleze, ndërkohë që vet Hodgson ende nuk ka mundur të përcaktojë formacionin më të mirë të tij.

Top Channel