Kinë, “zhdukja” e biznesmenit lëkund bursat

11/12/2015 18:10

Zhdukja e përkohshme e një prej biznesmenëve më të pasur të Kinës ka mjaftuar që aksionet e kompanive të tij në bursën e Hong Kongut të bien në pikiatë.

Bëhet fjalë për numrin 1 të kompanisë “Fosun”, që për më tepër kontrollon kompaninë e njohur turistike “Club Med” në Francë.

Guo Guangchang, 48 vjeç, president dhe administrator i kompanisë së njohur “Fosun”, konsiderohet, sipas treguesit të miliarderëve të Bloomberg, njeriu i 17-të më i pasur i Kinës.

Guangchang kishte humbur kontaktet me kompaninë e tij prej mëngjesit të së enjtes. Mungesa e tij u raportua fillimisht në revistën ekonomike kineze “Caixin” dhe më pas bëri xhiron e të gjithë rrjeteve sociale kineze.

Vetëm të premten dolën në dritë lajmet se pasaniku ndodhej nën kontrollin e autoriteteve pasi po bashkëpunon në një hetim gjyqësor.

“Zoti Guanchang po bashkëpunon me autoritetet, por do të jetë në gjendje të marrë pjesë në vendimmarrjet më të rëndësishme të kompanisë, përmes mjeteve të duhura”, ka deklaruar kompania në pronësi të tij “Fosun”.

Megjithatë, mbajtja e fshehtë e lajmit ka bërë që në media të ndryshme, e jo vetëm ato kineze, të qarkullojnë teoritë jo edhe aq konspirative:

Mos vallë Guanghcang është ndaluar qëllimisht për të shkaktuar rënien e aksioneve të kompanive të tij në bursë?

Ndoshta e kërkuar kjo nga ndonjë tjetër miliarder kinez që i bën rivalitet pronarit të “Club Med” e që mund të ketë lidhje të forta me qeverinë kineze?

Top Channel