Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor

11/12/2015 00:00

Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor mbetet ende një nevojë jetike, pavarësisht fushatave të tëra të zhvilluara me qëllim sensibilizimin e qytetarëve, të cilitdo shteti në botë, për të pasur gjithnjë e më shumë kujdes kur drejtojnë një automjet.

Ky rast i ndodhur në Republikën Çeke është vërtet i rëndë. Nga pamjet të tmerron dhe duket sikur aksidenti rrugor me siguri që është shoqëruar edhe me viktima, të vdekur apo të plagosur. E megjithatë, për fat të mirë, nuk ka ndodhur kështu.

Videoja që qarkullon në mediet e huaja tregon një kamion të tipit trajler, shoferi i të cilit pavarësisht semaforit të kuq përpara mbikalimit të trenit, duket se ka zgjedhur “të rrezikojë” dhe të kalojë, edhe pse nuk dihet se çfarë urgjence mund të ketë pasur.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Frydek Mistek, në lindje të Çekisë, teksa treni i linjës Frenstat Pod Radhostem-Ostrava ka kaluar në atë moment, duke e kapur kamionin mbi shina. Sigurisht që ai është ndarë më dysh dhe karroceria është ajo që ka “pësuar” më shumë. Mos u shqetësoni për drejtuesin e mjetit, pasi ka pësuar vetëm dëmtime të lehta, ndërsa pasagjerët e trenit mbetën të paprekur gjithashtu nga ky aksident.

Por, ajo që mbetet ende e rëndësishme, është: Kujdes! Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor.

Top Channel