“Rrëzohet” kulla e Trumpit, grupi “Anonymous” e paralajmëron për antimyslimanizmin

11/12/2015 00:00

Faqja e internetit e “Kullës së Trumpit”, siç njihet ndryshe qiellgërvishtësja që mban firmën e Donald Trump në Manhattan, pasi aty gjendet selia e bizneseve të tij, doli jashtë funksionit për të paktën një orë gjatë së premtes, pasi grupi i “hacker”-ave “Anonymous” sulmuan manjatin e pasurive të patundshme dhe pretendentin republikan për Presidencialet e 2016-s, për shkak të komenteve të tij antimyslimane.

Faqja, që i dedikohet kullës 68-katëshe të Trumpit (trumptowerny.com), e që shpesh herë është përdorur për fushatën e tij presidenciale, doli jashtë funksionit pas një “cicërime” në Twitter të lëshuar nga grupi i “hacker”-ave, ku thuhej se “faqja e kullës së Trumpit në Nju Jork është rrëzuar, si shenjë deklarative kundër racizmit dhe urrejtjes”.

Më herët gjatë kësaj jave, një reagim që pretendohet të jetë nga “Anonymous Operations” kishte të bënte me një video të publikuar në Youtube, së bashku me mesazhin: Sa më shumë që Shtetet e Bashkuara të shënjestrojnë myslimanët, në vend të radikalëve myslimanë, aq më të sigurt të jeni se ISIS do ta shfrytëzojë këtë duke e vendosur në qendër të fushatës së tij mediatike.

Postimi i kësaj të premteje vijonte edhe me një paralajmërim: Donald Trump, duhet të mendoni dy herë përpara se të flisni diçka. Jeni i paralajmëruar zoti Donald Trump.

Ndërkaq, deri më tani as Trump dhe as zëdhënësi i tij nuk kanë qenë të disponueshëm për ndonjë koment.

Paralajmërimi i grupit të “hacker”-ave ndaj Trumpit vjen pak ditë pasi miliarderi i famshëm propozoi ndalimin e përkohshëm të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, në kundërpërgjigje të masakrës së ndodhur javën e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, të ndërmarrë prej dy myslimanëve, për të cilët FBI-ja ka dalë në konkluzionin se ata ishin radikalizuar.

Top Channel