Donald Trump agjent sekret i demokratëve?

12/12/2015 16:45

Liderët e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara janë dukshëm të trazuar: zhvillojnë takime sekrete, lëshojnë memo konfidenciale, bëjnë denoncime publike teksa po i afrohen ngadalë gjendjes së panikut.

Arsyeja e gjithë këtij pështjellimi është Donald Trump dhe ajo çfarë po i bën partisë së tyre manjati i pasurive të patundshme.

Aq sa Trump ka bërë deri më tani me deklarata që ndezin njërin debat pas tjetrit, mjafton për t’i shtyrë këta njerëz të mendojnë se ndoshta biznesmeni njujorkez nuk e ka dhe aq për zemër establishmentin republikan.

E nga këtu, për Anthony Zurker të BBC lind një pyetje në kufijtë e ironikes: a mos vallë Donald Trump është një agjent sekret i dërguar nga demokratët për ta shkatërruar nga brenda Partinë Republikane?

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, i cili ka qenë në masë të madhe shënjestra e kunjave të Trumpit, nuk e përjashton tërësisht si mundësi.

“Mbase Donaldi ka arritur ndonjë marrëveshje me mikeshën e tij, Hillary Clinton”, shkroi Bush gjatë kësaj jave në Twitter, fill pasi miliarderi citoi sondazhet e fundit që tregonin se simpatizantët e vetë do ta votojnë edhe nëse largohet nga radhët e republikanëve.

Nëse vazhdon kështu si e ka nisur, thuhej më tej në mesazhin e Bush, atëherë rruga e Hillary drejt Shtëpisë së Bardhë është e sigurtë.

Historia politike e Trumpit në fakt i jep goxha terren një skenari të tillë. Ai ka qenë fillimisht republikan, pastaj u shfaq si mbështetës i demokratëve e tani është një konservator populist, i palëkundur në linjën e vet anti-emigracionit.

Teoritë e konspiracionit mbi sjelljen e Trump morën udhë pas pohimeve të kongresmenit republikan të Floridës, Carlos Curbelo, i cili e quajti miliarderin një “kandidat fantazmë, i rekrutuar me qëllim që të krijojë një cirk të madh politik”.

Top Channel