Kundërshtarët e Shqipërisë, Zvicra e shqiptarëve; “gjelat” dhe rumunët

12/12/2015 20:15

Francezi David Trezeguet vendosi që pavarësisht dëshirave të trajnerëve, përfaqësuesja kuqezi të ndeshet me Zvicrën, kombëtare e cila në boshtin e saj ka lojtarë me origjinë shqiptarë.

Shqipëri-Zvicër, përveç se një përballje mes shqiptarëve, do të jetë dhe një sfidë më vete mes vëllezërve Xhaka, ku njëri prej tyre, Taulanti është me kuqezinjtë ndërsa Granti do të derdhë djersë për helvetikët.

Do të jetë pikërisht kjo ndeshje starti i kuqezinjve të De Biasit në këtë debutim të parë në një Euopian. Franca, skuadra e cila shihet si më favoritja e grupit për shkak se luan në shtëpinë e vetë, do të ketë përballë kuqezinjtë më 15 qershor në stadiumin e Marsejës.

Me përfaqësuesen e gjelave, ne jemi përballur 4 herë këto 5 vitet e fundit, 2 nga të cilat për eleminatoret e euro 2012 dhe 2 tani së fundmi. Kemi pësuar 2 humbje në përballjet e vitit 2011, ndërkohë që në miqësoret e fundit kemi barazuar 1-1 në Paris dhe kemi fituar 1-0 në “Elbasan Arena”.

Rumania është kundërshtari i vetëm i Shqipërisë në këtë turne, e cila nuk ka pësuar asnjë humbje gjatë fazës eliminatore, duke u renditur e dyta në grup, me Irlandën e Veriut.

Trajneri i kësaj përfaqësueje është Jordanescu, ndërkohë që lojtarët e saj luajnë në skuadra europiane të nivelit të dytë. Sfida Shqipëri-Rumani do të luhet më 19 qershor në Lion.

Top Channel