Korrupsioni, prokurorëve kosovarë u kërkohet më shumë punë

12/12/2015 21:50

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kanë kërkuar nga prokurorët e Kosovës të heqin frikën e të mos kursejnë askënd që kryen veprën penale të korrupsionit. Në konferencën e prokurorëve, atyre iu bë e qartë se tani është koha e fundit që të luftojnë korrupsionin.

“Ne jemi lodhur si shoqëri nga shkalla e lartë e korrupsionit. Ne kemi dëmtuar funksionimin e shtetit me politikat e mosndëshkimit të të gjithë atyre që janë përfshirë në afera korruptive. Ne kemi goditur jo vetëm imazhin në skenën ndërkombëtare me këtë shkallë të perceptimit për korrupsionin dhe sërish nuk kemi vepruar aq dhe ashtu si duhet. Sot nuk është koha për të shprehur me fjalë përkushtimin për luftën kundër korrupsionit”, deklaroi presidentja Atifete Jahjaga.

“Luftimi i korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit vazhdon të jetë sfidë serioze. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë në qendër të kritikave vitet e fundit. Tani për tani perceptimi publik është negativ. Studimi i UNDP-së ka nxjerrë si përfundim se korrupsioni është një ndër tre problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës. 43 për qind e të kontaktuarve thanë se gjykatat vuajnë nga korrupsioni në shkallë të madhe”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA.

Përveç presidentes dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, më shumë punë nga prokurorët në luftën kundër korrupsionit kërkoi edhe vetë ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ndërsa kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se për prokurorët po fillon një epokë e re.

“Sfidat që kemi përballë janë reale. Ato janë serioze dhe janë të shumta. Ato nuk duhet të kapërcehen me lehtësi apo në një kohë të shpejtë, por duhet të besojmë se do t’ia dalim. Ajo që kërkohet nga ne është një epokë e re e përgjegjësisë”, tha Lumezi.

Lumezi shtoi se bashkë me Ministrinë e Drejtësisë janë duke punuar në ligjin anti-mafia, që lejon konfiskimin e pasurisë pa procedura gjyqësore dhe ky ligj, sipas tij, u jep shumë mundësi më të mëdha prokurorëve.

Top Channel