Arabia Saudite zgjedh të parën këshilltare bashkiake në histori

13/12/2015 00:00

Për herë të parë në Arabinë Saudite, një grua ka fituar një post si këshilltare bashkiake, pasi mbretëria arabe hoqi pengesat ndaj grave për të marrë pjesë në zgjedhje.

Salma bint Hizab al-Oteibi fitoi një vend në një bashki të provincës së Mekës, konkretisht në Bashkinë e Madrakah, gjatë zgjedhjeve të së shtunës, siç bëri të ditur presidenti i Komisionit Elektoral arab, Osama al-Bar. Ajo garonte kundër 7 meshkujve dhe 2 femrave.

Zgjedhjet ishin të parat ku gratë u lejuan të votonin dhe të garonin si kandidate, teksa shihen si një arritje historike në mbretërinë konservatore.

Gjithsesi, gratë saudite përballen ende me shumë kufizime në jetën publike, përfshi edhe të drejtën për të drejtuar një automjet.

Në total ishin 978 gra të regjistruara si kandidate, rreth 13%, krahasuar me 5938 meshkuj garues. Zyrtarët thanë se 130 mijë femra u regjistruan për të votuar gjatë zgjedhjeve të së shtunës, krahasuar me 1,35 milionë meshkuj.

Pabarazia në këtë rast u faturohet pengesave burokratike, por edhe mungesës së transportit, bën të ditur agjencia e lajmeve AFP. Një tjetër kufizim ishte se kandidateve femra nuk u lejohej t’iu adresoheshin votuesve meshkuj në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, siç bëjnë të ditur media shtetërore, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë.

Zgjedhjet, të çfarëdolloji në Mbretërinë Saudite janë të rrala. Ato të së shtunës janë të tretat në histori. Zgjedhje nuk ka pasur për një periudhë 40-vjeçare prej 1965-s deri në 2005-n. Gjithsesi, vendimi për t’i lejuar femrat të merrnin pjesë në zgjedhje u mor nga Mbreti i ndjerë Abdullah dhe shihet si një pjesë kyçe e trashëgimisë së tij.

Top Channel