Zjarri në klinikën psikiatrike, mbi 20 viktima në Rusi

13/12/2015 00:00

Të paktën 21 persona humbën jetën, si pasojë e një zjarri që ra në një spital psikiatrik në perëndim të Rusisë. Sipas autoriteteve, dy persona të tjerë janë shpallur të zhdukur, pas ngjarjes së ndodhur në rajonin e Voronezhit.

Më shumë se 20 vetë po mjekohen në spital për shkak të plagëve të marra, ndërsa ekziston frika se bilanci i viktimave mund të rritet.

Godina ku gjendej klinika psikiatrike u shkatërrua tërësisht, nga flakët që shpërthyen mbrëmjen e së shtunës. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende.

Gjatë viteve të fundit, një sërë zjarresh kanë rezultuar me humbje të mëdha jetësh njerëzore në Rusi. Në shtator të 2013-s, 37 persona vdiqën pas një zjarri, që përfshiu spitalin psikiatrik në rajonin veriperëndimor të Novgorodit. Disa muaj më herët, një tjetër zjarr po në një spital psikiatrik pranë Moskës shkaktoi 38 viktima.

Në 2009-n, 23 persona humbën jetën pas flakëve që përfshinë një azil për të moshuarit në rajonin veriperëndimor të Komit, ndërsa në 2007-n, 63 vetë u vranë në një bllok banesash në jug të Rusisë. Edhe në 2006-n një tragjedi e ngjashme u shënua në një klinikë për rehabilitimin nga droga, ku vdiqën 45 gra.

Top Channel