Francë, zhvillohet raundi i dytë i lokaleve; favorit Sarkozy

13/12/2015 00:00

Francezët votojnë këtë të dielë në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale, ku Fronti Nacional i së djathtës ekstreme do të kërkojë të konsolidojë fitoren e arritur në raundin e javës së kaluar.

Udhëheqësja e partisë, Marine Le Pen kryeson në 6 prej 13 rajoneve franceze, përfshirë rajonin verior të Nord-Pas-de-Calais-Picardie, ku kandidon vet Le Pen, por dhe në rajonin juglindor të Provence-Alpes-Cote d’Azur, ku kandidon mbesa e saj Marion Marechal-Le Pen.

Por sondazhet e fundit sugjerojnë se, skenari i 6 dhjetorit nuk do të përsëritet dhe se opozita republikane e Nicolas Sarkozy ka fituar terren. Socialistët e Francois Hollande kanë tërhequr nga gara disa kandidatë humbës, pikërisht për të evituar ndarjen e votave kundër Frontit Nacional, duke favorizuar kështu republikanët.

Raundet e dyta të zgjedhjeve, që janë mbajtur në Francë, zakonisht kanë rezultuar si të pasuksesshme për Frontin Nacional, por në disa zona, rezultatet pritet të jenë të ngushta. E djathta ekstreme siguroi 27.73 për qind të votave në raundin e parë, e ndjekur nga republikanët e Nicolas Sarkozy me 26.65 për qind, ndërsa socialistët e Hollande me 23.12 për qind.

Marine Le pen tha për mbështetësit e saj se, rezultatet ishin të mrekullueshme dhe se Fronti Nacional ishte kthyer në partinë e parë në Francë. Mbështetja për të djathtën ekstreme është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, pasi politikat e tyre nacionaliste e pro mirëqënies kanë rrëmbyer gjithashtu vota si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta.

Para mbajtjes së raundit të parë të votimit, sondazhet sugjeronin se popullariteti i fushatës së Le Pen, kundër emigracionit e kundër BE-së, ishte rritur ndjeshëm pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris.  Fronti Nacional shpreson se një performancë e fuqishme do të favorizojë Le Penin edhe në zgjedhjet presidenciale të 2017-s.

Top Channel