Tensione Moskë-Ankara; fregata ruse godet peshkarexhën turke

13/12/2015 00:00

Një luftanije ruse hapi zjarr paralajmërues ndaj një anijeje peshkimi turke, teksa kjo e fundit po lundronte drejt saj dhe “sepse kishte hyrë në të njëjtën hapësirë detare me ta”. Ky ishte edhe njoftimi për shtyp i Ministrise ruse të Mbrojtjes, pas një tjetër incidenti mes Moskës dhe Ankarasë.

Ai ndodhi në pjesën veriore të Detit Egje. Por, sipas komunikatës zyrtare, hapja e zjarrit ishte thjesht për vetëmbrojtje, pasi anija e peshkimit nuk po reagonte ndaj paralajmërimeve. Ndonëse një incident detar dhe jo ajror, ky i fundit ka shërbyer si shkëndijë mes palëve në një situatë të rënduar.

Nga ana tjetër, në kundërpërgjigje të sanksioneve ruse, edhe Turqia duket se po merr masat e saj. Agjencia shtetërore turke e lajmeve bëri të ditur se Shtabi i Përgjithshëm ka ndaluar personelin e tij të udhëtojë drejt Rusisë gjatë sezonit të pushimeve dimërore.

Në deklaratën për shtyp thuhet se, i gjithë personeli i ushtrisë duhet të marrë leje dhe të japë informacion për çdo lëvizje jashtë territorit të vendit, duke iu referuar në mënyrë të veçantë Rusisë.

Sipas gazetës turke “Hurriyet Daily Neës”, deri më tani kanë qenë shtetasit turq më të “persekutuarit” nga sanksionet e Moskës, duke sjellë në vëmendje rastin e biznesmenëve turq, që u ndaluan të hynin në Rusi.

Incidenti i rrëzimit të avionit rus është kthyer në një pikë të nxehtë mes vendeve dhe sanksionet po japin efektet e para në ekonomi. Shumë tregtarë ankohen se ndalimi i importeve të ushqimeve dhe mallrave të tjerë ka bërë që produktet të ngelin nëpër magazina, pa ditur se çdo të bëhet me eksportin e tyre.

Realiteti është në kontradiktë me atë që Presidenti Erdogan deklaroi një javë më parë, se Turqia e ka shumë të lehtë të gjejë tregje të tjera alternative për të shitur. Por disa biznese thonë se kanë një barrë të rëndë tashmë.

Firma e veshjeve “Ant Yapi” është në ditët më të vështira të biznesit në Rusi, pasi sanksionet e reja kanë bllokuar lëvizjen e personelit, e po ashtu të mallrave. Edhe kur bëhet fjalë për kompani të mëdha, siç është firma elektrike “Anel”, pronari i saj bëri të ditur se deri më tani ajo ka humbur 30 milionë euro, pas ndërprerjes së punës në një stadium që po ndërtohet në Moskë.

Ndërkohë ende nuk dihet se ç’do të ndodhë me fatin e marrëveshjeve energjetike mes vendeve, ku Moska dhe Ankaraja kanë interesa të përbashkëta, pasi bëhet fjalë për shuma të mëdha investimesh nga të dyja palët.

Top Channel