Euro 2016, nis sot shitja e biletave

14/12/2015 10:35

Tashmë të gjitha enigmat për fazën e grupeve të Euro 2016 janë zgjidhur dhe të gjitha skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar fatin e tyre. Kombëtarja shqiptare është në grupin A, së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë.

Pas hedhjes së shortit, UEFA menjëherë bëri të ditur nisjen e procesit të shitjes së biletave dhe në dispozicion të tifozëve do të jenë 800 mijë të tilla. Të gjithë tifozët që dëshirojnë të ndjekin aktivitetin më të rëndësishëm evropian do të kenë mundësi të aplikojnë deri në datën 18 janar të vitit të ardhshëm. Secila prej 24 skuadrave pjesëmarrëse ka përcaktuar kushtet e aplikimit për tifozët e tyre si dhe numrin maksimal të biletave për të cilat duhet të bëhet aplikimi. (Kliko këtu për biletat e kombëtares)

Me t’u krijuar portali euro2016.com, tifozët do të jenë në gjendje të krijojnë profilin e tyre ose të përdorin atë që kanë hapur në verën e vitit 2015 dhe të zgjedhin një prej tipeve të biletave të përcaktuara nga UEFA, që do të jenë:

-Biletë e vetme, për të parë vetëm një ndeshje në stadium

-Bileta “Ndjek skuadrën time”, që lejon ndjekjen e disa sfidave të skuadrës dhe këtu përfshihet edhe ndeshja me eliminim direkt nëse ajo kualifikohet

-Bileta të thjeshta, për ata që kërkojnë hyrje të lehtë në stadium dhe për personat me aftësi të kufizuar

Aplikuesit për blerjen e biletave të Euro 2016 do të marrin përgjigje për kërkesën e tyre në fund të muajit shkurt të vitit 2016.

Top Channel