Roy Hodgson, 40 vjet trajner

14/12/2015 11:25

Roy Hodgson, në 1 janar të vitit 2016 do të mbushë 40 vjet karrierë si trajner, e megjithatë kjo nuk do ta ndalë aspak atë. Trajneri i Anglisë synon që të drejtojë këtë skuadër edhe në Botërorin e vitit 2018 dhe për këtë ai ka nisur bisedimet me presidentin e Federatës Angleze të Futbollit, Greg Dyke.  Do të jetë ky institucion ai që do të marrë një vendim për këtë çështje, duke parë se kontrata e Hodgson me “Tre Luanët” skadon në korrikun e vitit të ardhshëm.

“Në 1 janar plotësoj 40 vjet karrierë si trajner dhe jam krenar për këtë. Në këtë moment nuk mendoj për asgjë përveçse Evropianit, por e ardhmja do të varet nga mënyra sesi do të ndihem. Në këtë çast, ajo që ndjej është se e shoh veten si trajner edhe pas verës së ardhshme”, tha Hodgson.

Ndërsa presidenti Greg Dyke, në një intervistë për BBC deklaroi se vendimi për të ardhmen e Hodgson do të merret pas Euro 2016, në bazë të ecurisë së skuadrës angleze, e cila është në grup me Uellsin, Rusinë dhe Sllovakinë.

“Nuk do të marrim asnjë vendim për Hodgson deri në përfundim të Evropianit. Është e qartë se në rast të një ecurie pozitive ne do të kërkojmë qëndrimin e tij, në rast të kundërt do të duhet të mendohemi mirë. Nëse do të eliminohemi në fazën e grupeve, atëherë do të jetë vetë Hodgson ai që nuk do të dojë të qëndrojë akoma më shumë në pankinën e Anglisë”, u shpreh Dyke.

Top Channel