Viti 2015, i refugjatëve; Merkel: Vit i pabesueshëm, por mund t’ia dalim

14/12/2015 00:00

Angela Merkel e përshkroi krizën e emigrantëve si një test historik për Europën. 2015-a, – tha kancelarja gjermane, – ka qenë një vit i pabesueshëm.

Megjithatë, në komentet e bëra gjatë Kongresit të përvitshëm të partisë së saj kristiandemokrate, CDU, Merkel e mbrojti sërish linjën e ndjekur deri më tani ndaj refugjatëve, nën moton “Ne mund t’ia dalim”.

“Për Europën, kjo është një sprovë historike, të cilën unë dëshiroj, apo e thënë ndryshe, ne të gjithë dëshirojmë, që Europa ta kalojë me sukses. Dhe të sigurohemi gjithashtu se, një gjë e tillë do të ndodhë vërtet. Jemi të angazhuar të bëjmë secili pjesën tonë”, tha Merkel.

Qeveria gjermane pret që, deri në fund të vitit, numri i refugjatëve të mbërritur në këtë vend të shkojë në më shumë se një milion.

Vendimi i Merkelit për t’u hapur dyert emigrantëve nga Siria nuk ishte shumë popullor, as brenda vet partisë së saj. Por kancelarja iu dha një përgjigje edhe kritikëve, kur gjatë fjalimit në Kongres deklaroi se, fluksi i të ardhurve “do të reduktohet ndjeshëm”.

Në një intervistë televizive të dielën mbrëma, ajo e kishte hedhur poshtë sidoqoftë kufizimin e numrit të emigrantëve, duke e vënë edhe një herë theksin te rëndësia e atyre, që i quajti “zgjidhje europiane”.

Në fjalën e saj, shefja e ekzekutivit gjerman preku edhe tema të tjera tepër të rëndësishme të vitit, siç ishte sulmi ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, konferenca e klimës në Paris, apo edhe situata e Ukrainës.

Top Channel