OPEC rrit prodhimin, çmimi i naftës në pikiatë

14/12/2015 16:55

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ra për të 7 ditën me radhë duke ju afruar nivelit më të ulët në 11 vitet e fundit. Nafta bruto të tipit Brent ra me 3.8 përqind, duke shënuar kuotën 36.5 dollarë për fuçi.

Shkaku është oferta e lartë për shkak të prodhimit masiv, ndërkohë që kërkesa për këtë produkt mbetet e ndrydhur teksa ekonomia botërore vijon të jetë e plogësht nga kriza.

Karteli i OPEC-ut, organizmi më i madh prodhues i naftës në botë, nuk e ka ulur prodhimin pavarësisht rënies së çmimeve, madje ka bërë të kundërtën duke e rritur atë si një taktikë për të nxjerrë nga tregu prodhuesit e tjerë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prodhon naftën argjilore.

Veç kësaj, oferta pritet të rritet sërish vitin tjetër për shkak të heqjes së sanksioneve ndaj Iranit, i cili mund të eksportojë në tregjet botërore një sasi shtesë prej 700 mijë fuçi nafte në ditë. Prodhuesit e Gjirit Persik dhe Rusia janë shprehur të vendosur për mos e ulur prodhimin edhe sikur çmimi të bjerë në 20 dollarë për fuçi.

Të premten, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se teprica e ofertës do të thellohet vitin tjetër duke bërë edhe më shumë presion për rënie të mëtejshme në çmimin e naftës drejt minimumeve historike.

Top Channel