Shkolla, si mund të të edukojë edhe me vështirësitë e jetës…

14/12/2015 00:00

Shkolla 9-vjeçare “Gjon Buzuku” në Tiranë organizoi për të dytin vit panairin e ushqimit dhe diversitetit kulturor.

1200 nxënës u angazhuan me prindërit e mësuesit duke gatuar, përgatitur veshje, piktura e koncerte. Shkolla u shndërrua në një qendër argëtimi ku të rriturit ishin konsumatorë. Po cili është qëllimi i gjithë këtij aktiviteti?

“Nëpërmjet veprimtarive të ndryshme edukative e argëtuese, si kjo e ditës së sotme, ne mundohemi që fëmijët të njohin relitetin dhe të shikojnë që jashtë shkollës dhe shtëpive tona kemi edhe njerëz, të cilët nuk kanë atë që kemi ne”, shprehet drejtoresha e shkollës Anila Muka.

Pas festës dhe garës së fshehtë ndërmjet klasave u mblodhën fonde, të cilat do të përdoren për dy qëllime.

“Fondet që u mblodhën sot, me iniciativën e nxënësve, do të shkojnë një pjesë për moshën e tretë në azil, ndërsa pjesa më e madhe do të përdoret për nevojat e shkollës”, thotë drejtoresha.

Luka është presidentja e shkollës. Kur e pyesim se si ndihen nxënësit pasi kryejnë një bamirësi ajo përgjigjet: “E plotësuar shpirtërisht. Edhe këta kanë nevojë që të jeni si ne”, thotë Luka.

Fëmijët sot duken indiferentë ndaj moshatarëve apo njerëzve në nevojë. Megjithatë Luka nuk mendon kështu.

“Janë më të prirur që t’i ndihmojë, duke i futur në shoqërinë e tyre dhe duke i mbajtur sa më afër që edhe ata të ndjehen të barabartë në këtë shoqëri”.

Anisa, një nga 39 senatorët e shkollës. E veshur me një kostum tipik të Tropojës të përgatitur me shumë mundim nga mami dhe nëna ajo tregon: “Shkolla jonë ka dhënë gjithmonë kontributin për familjet në nevojë. Ne kemi dhënë gjëra nga vetja jonë për t’i ndihmuar këto shtresa. Edhe ata duhet të ndjehen të barabartë mes nesh. Askush nuk është i pavlerë, të gjithë jemi të barabartë”.

Ka nga ata fëmijë që nuk munden të ofronin asgjë në panair, për shkak të vështirësive financiare në familje, megjithatë për Anisen kjo gjë nuk u vu re farë pasi…”Kjo nuk ndodh pasi ne i afrojmë të gjithë nxënësit, si ata në nevojë dhe ata që janë shumë mirë ekonomikisht. Ne i ndajmë gjërat me ata dhe kështu edhe ata bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve”, thotë Anisa.

Top Channel