Kuvendi dënon dhunën, Thaçi-Mustafa: Opozita të sqarojë motivet

14/12/2015 20:25

Me rikthimin e normalitetit në sallën altenative të Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi propozoi që Kuvendi të mblidhet në seancë të veçantë për situatën e krijuar, ndërsa kërkoi nga shefat e grupeve paralamentare, në këtë rast nga tri subjektet në koalicionin qeverisës, të dalin me një deklaratë të përbashkët për të dënuar dhunën e deputetëve opozitarë.

“Duhet të marrim fjalën të gjithë e të themi, a është e pranueshme kjo situatë? Ne marrim pyetje nga qytetarët, jemi të zgjedhurit e popullit dhe na mohohet të flasim për këtë”, deklaroi Thaçi.

I vënë para pyetjeve se, përse institucionet nuk e kanë zgjidhur këtë situatë deri tani, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli akuzoi shefin e sigurimit të institucionit, i cili sipas tij ka bashkëpunuar me deputetët e opozitës, duke i lejuar të futen të pajisur me gaz lotësjellës.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga opozita që të paraqesë arsyet e vërteta për pengimin e punës së institucioneve, pasi, sipas tij, dy marrëveshjet që ajo kundërshton, tashmë i kanë adresat e zgjidhjes.

Ai tha se, dhuna ka marrë dimension përtej sallës së Kuvendit, duke përmendur këtu djegien e automjeteve zyrtare dhe shkatërrimin e pronës publike.

“Ftoj opozitën që të paraqesë arsyet e vërteta, sepse për mua nuk janë Asociacioni dhe Demarkacioni, sepse ato e kanë zgjidhjen. Kjo nuk është më kauza, duhet të jetë diçka më e madhe sesa kjo. Këto janë të zgjidhshme, edhe njëra edhe tjetra e ka zgjidhjen e vetë”, tha Mustafa.

Propozimi i zëvendëskryeministrit Thaçi për një deklaratë të përbashkët kundër opozitës gjeti mbështetjen e tri partive pjesë e koalicionit qeveritar, PDK, LDK dhe Listës Serbe, të cilave fillimisht iu është dashur harmonizim i qëndrimeve për përmbajtjen e saj.

Top Channel