Sipas njoftimit të policisë, ka qenë një telefonatë e një personi të pa njohur në një gazetë dhe redaksinë e një radiostacioni, ku thuhej se ishte vendosur bombë në stacionin e metrosë në Monastiraqi, një ndër zonat më të frekuentuara nga mijëra turistë të huaj që vizitojnë Athinën çdo ditë.

Pak minuta më vonë, rojet e stacionit dhe policia gjetën pikërisht në këtë stacion, të braktisur një çantë të dyshimtë, e cila për fat rezultoi se brenda saj kishte veshmbathje.

Telefonata të ngjashme ka patur edhe pak minuta më vonë edhe për dy stacione të tjera të metrosë së Athinës, Ajia Marina dhe Egaleo.

Edhe këto telefonata për fat kanë rezultuar të rreme dhe stacionet e metrosë janë vënë sërish në shërbim të udhëtarëve.

Policia greke thotë se që prej ngjarjeve të Parisit, qindra policë ndodhen në alarm për parandalimin e akteve terroriste.

Policë të veshur civilë qarkullojnë në çdo orë të ditës në metro dhe një numër të madh objektivash të mundshme në qytetet më të mëdha të Greqisë.

Masa shtesë janë marrë edhe për ruajtjen disa objekteve të rëndësisë së veçantë, si ambasadat e shteteve perëndimore, të Rusisë dhe zyrat e kompanive të mëdha multietnike në Greqi.

Autoritetet greke thonë se, nuk ka kërcënime konkrete, por rreshtimi i Greqisë përkrah vendeve të tjera në luftën kundër Shtetit Islamik, ka detyruar autoritetet të marrin masa sigurie shtesë.

Top Channel