Avionët australianë fluturojnë në Detin e Kinës së Jugut

15/12/2015 09:15

Ushtria australiane po kryen fluturime mbi ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës së Jugut, ku Kina pretendon “pjesën e luanit”.

“Marina Kineze, ne jemi aviacioni australian që po ushtron të drejtën e fluturimit në hapësira ajrore ndërkombëtare, në përputhje me konventën ndërkombëtare të aviacionit civil dhe konventën e OKB-së për ligjet detare”, ka njoftuar aviacioni ushtarak australian kolegët kinezë.

Në një deklaratë për shtyp, Departamenti australian i Mbrojtjes ka bërë të ditur se avionët e tyre mbikëqyrës “Orion P-3” kanë kryer një “patrullim detar rutinë” si pjesë e përpjekjeve për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Kina është përfshirë në një përplasje territoriale për hapësirën e Detit të Kinës së Jugut. Pekini pretendon një hapësirë të gjerë detare, e kundërshtuar këtu nga Vietnami dhe Filipinet, që kanë pretendimet e tyre.

Në nëntor, avionë amerikanë “B-52” fluturuan mbi hapësirën në fjalë duke acaruar qeverinë kineze. Debati për ishujt Spratli shihet si një nga “pika e nxehtë” gjeo-politike të shkullit të 21-të, raporton korrespondenti i BBC në Azi.

Kina ka marrë masa për të zgjeruar praninë e saj, duke ngritur ishuj artificialë, duke ndërtuar në ta autostrada dhe duke shkaktuar irritimin e fqinjëve të saj.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Pekinin që të ndalë aktivitetet e tij, por ky i fundit i ka bërë thirrje Uashingtonit që të mos përzihet në çështjet e brendshme të Kinës.

Top Channel