Kosovë, opozita për protestën e radhës: Më 9 janar në Prishtinë

15/12/2015 00:00

Udhëheqësit e tri partive opozitare në Kosovë kanë vendosur, që më 9 janar të thërrasin protestë popullore në Prishtinë, kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe me Malin e Zi.

Pas një takimi të mbajtur në selinë e “Nismës për Kosovën”, krerët e opozitës thanë se, protesta do të jetë edhe kundër asaj që kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e quajti regjim policor.

“Ne sot kemi marrë një vendim, që më 9 janar, të shtunën, të organizojmë një protestë mbarëpopullore në Prishtinë, për të kundërshtuar marrëveshjet e kësaj qeverie, atë për themelimin e ‘Zajednicës’, dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, si dhe sjelljen brutale të këtij regjimi autoritar, në të cilin kanë marrë pjesë dhe po e dizenjojnë Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Kryetari i “Nismës”, Fatmir Limaj ka folur para medieve për kërkesën e zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, i cili një natë më parë kërkoi nga deputetët e koalicionit, që të nxjerrin një qëndrim, ku konstatohet se opozita po mban peng me dhunë sallën kryesore të Kuvendit.

“Po u bëj apel deputetëve të Parlamentit të Kosovës: mos u bëni instrument, mos u bëni pjesë e fajit të dy drejtuesve, të cilët kërkojnë t’i sulmojnë kolegët e tyre deputetë. Kjo ndodh vetëm në vendet komuniste”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nisma për Kosovën”.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se, pushteti është duke përdorur të gjitha mjetet për të frikësuar dhe burgosur opozitën. Ai kërkoi nga institucionet e pavarura, që mos të nënshtrohen ndaj pushtetit.

“Doja t’u bëja thirrje policisë, Prokurorisë e Gjyqësorit, të mos vazhdojnë të kthehen në instrumentë klasikë të pushtetit, sepse ata janë të të gjithëve, janë të popullit. Arrestimi i të zgjedhurve të popullit, në mënyrën sesi po e bëjnë, me urdhra politikë, i nxjerr ata në një pozitë jo të duhur, jo të drejtë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Krerët opozitarë thanë se do të marrin pjesë në seancën e së enjtes, ku pritet adresimi vjetor i Presidentes Atifete Jahjaga, por nuk treguan nëse do ta pengojnë fjalimin e saj, duke thënë se për këtë do të vendosin gjatë ditëve në vijim. Ndërsa për seancën tjetër plenare, që pritet të mbahet po të enjten, opozita paralajmëroi se do ta bllokojë sërish.

Top Channel