Mosliberalizimi i vizave, reagon VV dhe GSJP

15/12/2015 00:00

Reagime për mosdhënien e liberalizimit të vizave ka pasur edhe nga të tjerë në Kosovë, përfshi partitë opozitare, si dhe shoqëria civile.

Lëvizja Vetëvendosje ka fajësuar kryeministrin Isa Mustafa, si dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, që sipas saj kanë rrënuar shtetin.

“Për sa kohë lufta e pakompromistë kundër kapjes së shtetit u lihet në dorë aktorëve kryesorë, që kanë realizuar këtë kapje, kriteret për liberalizimin e vizave nuk do të plotësohen. Kjo, sepse ato kritere lidhen me shtetin e së drejtës, të cilin e kanë rrënuar Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Qeverinë kosovare e ka fajësuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në llogarinë e tij në Facebook, ndër të tjera ka shkruar: “Ata e dinë, që zhvillimi ekonomik nuk ka ndodhur. Ata e dinë, që korrupsioni është në nivel të lartë. Ata e dinë, që në udhëheqjen tonë ka shumë dallaveraxhinj”.

Ndërsa Grupi për Studime Juridike dhe Politike u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që t’i qasen me shpejtësi dhe me strategji “Kapitullit 35” të Serbisë, që ndryshe njihet si “Kapitulli për Kosovën”.

“GSJP” vlerëson se përmbajtja aktuale e “Kapitullit 35” është një tregues i qartë, që Qeveria e Kosovës nuk ishte në gjendje, që nëpërmjet politikës së saj të jashtme të promovonte në BE, konceptin se Kosova nuk mund të shkojë tutje në normalizimin e raporteve të saj me Serbinë, nëse kjo e fundit nuk kushtëzohet me heqjen dorë nga Kosova, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Kjo vonesë e Qeverisë së Kosovës duhet kompensuar me rikthimin e kësaj çështjeje në agjendë prioritare, përndryshe Kosova do të humbiste mundësinë, që ta shfrytëzonte mjetin e fundit efektiv për kushtëzimin e Serbisë, ‘Kapitullin 35’”, thuhet ndër të tjera në reagimin e “GSJP”-së.

Top Channel