Ndotja e ajrit në Tetovë ka arritur shifra alarmante. Alarmi përforcohet edhe më tej, pas matjeve të mesnatës së të hënës dhe së martës, kur grimcat “PM10” arritën në 996 mikrogram për metër kub, apo 20 herë më të larta sesa limiti i lejuar.

Kjo situatë i ka alarmuar tetovarët dhe organizatat joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit, të cilat kanë kërkuar deri edhe bojkotimin e mësimit nëpër shkollat e Tetovës.

Njëri nga drejtuesit e Shoqatës “EcoGuerrila”, Arianit Xhaferi ka bërë thirrje, që fëmijët të mos dërgohen të martën nëpër shkolla.

“Nesër, unë nuk e dërgoj djalin tim në shkollë, në vend të tij do të shkoj unë. Ju bëj ftesë edhe prindërve të tjerë, që kanë fëmijët në shkollën ‘Liria’, që nesër në orën 13:00 të vijnë para shkollës pa fëmijët dhe të takohemi me autoritetet e shkollës. Kjo bëhet për shëndetin e fëmijëve tanë. Presim nga Komuna shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, u ka thënë Xhaferi prindërve tetovarë.

Ndërkohë, edhe Lëvizja e Nënave tetovare u ka bërë thirrje prindërve, që të bojkotohet mësimi.

“Të nderuar, vendosëm të përkrahim idenë dhe nismën e qytetarëve për të bojkotuar mësimin nesër, për fëmijët tanë. Të gjithë ata që kanë fëmijët në shkollë duhet të përkrahin këtë nismë, duke mos i dërguar fëmijët në shkollë”, shkruhet në thirrjen e kësaj lëvizjeje.

Si ndotës kryesorë të ajrit, ekspertët dhe Instituti i Shëndetësisë në Maqedoni kanë identifikuar fabrikën e “Jugohromit”, ndërsa autoritetet qeveritare këmbëngulin se ajrin e ndotin automjetet dhe djegia e druve për ngrohje.

Top Channel