Kosovë, Lekaj në “arrest shtëpie”; të tjerët me detyrim paraqitjeje

15/12/2015 00:00

Gjykata e Prishtinës ka dhënë gjatë pasdites së të martës masat e sigurisë ndaj deputetëve të opozitës të arrestuar gjatë së hënës, pas gazit lotsjellës të hedhur si në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, edhe në sallën e improvizuar.

Konkretisht, deputetit Pal Lekaj të AAK-së i është akorduar masa e “arrestit shtëpiak” prej një muaji, ndërsa deputetëve të tjerë u është kërkuar paraqitja në polici nga dy herë në javë gjatë muajit të ardhshëm. Dënimi më i rëndë për ushtryesin e detyrës së kreut të grupit parlamentar të AAK argumentohet nga Prokuroria me faktin se, Lekaj ka kryer dy herë të njëjtën vepër penale, duke iu referuar hedhjes së gazit lotsjellës.

Avokati i tij mbrojtës, Arianit Koçi tha se Prokuroria kishte kërkuar ndaj tij masën e paraburgimit, por për këtë nuk kishte asnjë provë, ndaj dhe gjykata ka pranuar kundërshtimin e palës mbrojtëse. Megjithatë, as masa e “arrestit shtëpiak” nuk duket e pranueshme për avokatin, i cili ka njoftuar se do ta ankimojë këtë vendim.

Pas vendimeve të sotme ka reaguar edhe deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, i cili u shpreh se arrestimi i tyre nga ana e policisë ishte bërë pa asnjë dokument. Sa i përket pjesëmarrjes ose jo në seancën e së enjtes, Konjufca deklaroi se nuk shprehet për këtë, pasi një deklaratë e tij mund të përdorej kundër tij nga ana e policisë.

Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se ky akt i policisë ishte bërë në mënyrë që deputetët e opozitës të dëshmonin mbi veprimet e tyre, për të cilat ajo u shpreh se bëhen vetëm që të ketë një reflektim nga qeveria. Kadrijaj pritet të marrë pjesë në seancën e së enjtes, por këtë do ta vendosë pasi të konsultohet me pjesëtarët e tjerë të opozitës në lidhje me vendimet që do të ndërmerren për të ardhmen.

Deputetja tjetër e AAK-së, Teuta Haxhiu i konsideroi të befasishme arrestimet e saj dhe të Kadrijajt dhe bëri të ditur se nuk e kanë në plan t’i ndalin veprimet e tyre deri në anulimin e marrëveshjeve, pavarësisht se kushtet në burg – sipas saj, – ishin të tmerrshme.

Masa për paraqitjen në polici dy herë në javë, për një muaj, i është shqiptuar edhe dy deputeteve të Vetëvendosjes, Aida Dërguti dhe Besa Baftiri, të cilat u arrestuan gjithashtu gjatë mbrëmjes së të hënës.

Top Channel