“Një mik i imi më pyeti: Kujt do t’ia dhurosh librin e parë? Me shaka iu përgjigja që librin e parë do t’ia dërgoj me postë Nikola Gruevskit, kryeministrit kryeneç maqedonas, për shkak se ka nevojë të kuptojë dhe të reflektojë se çfarë ka ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë. I ka dy përkthyes shumë të mirë, Ali Ahmetin dhe Mehdi Thaçin dhe besoj që ata do ta ndihmojnë ta kuptojë”.

Kështu e ka nisur studiuesi Arsim Sinani takimin e promovimit të librit të tij, “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”. Një libër që sjell një analizë të ftohtë të problemeve me të cilat po haset sot gjuha shqipe në Maqedoni.

Por, Sinani ka shkuar dhe më tej me tezat e tij duke bërë një parashikim për ekzistencën e shtetit maqedonas.

“Maqedonia do të ekzistojë vetëm si shtet i shqiptarëve dhe i maqedonasve, çdo skenar tjetër do të jetë katastrofë për Maqedoninë”, tha ai.

Një mesazh të fortë, studiuesi Sinani ja adreson dhe klasës aktuale politike shqiptare në Maqedoni.

“Duhet të vijë një brez i njerëzve të cilët do ta përmirësojnë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe ta kthejnë gjendjen aty ku do të duhej të ishin dhe jo që shqiptarët e Maqedonisë të konsiderohen si një lodër në duart e pushtetit maqedonas i cili edhe sot derisa ne flasim luajnë me njerëzit kryesorë në Maqedoni”, vijoi Sinani.

Duke u ndalur tek problemet me të cilat përballet gjuha shqipe sot, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi e Luginë të Preshevës, Arsim Sinani këmbënguli disa herë gjatë fjalës së tij, se gjithçka duhet të nisë nga Tirana zyrtare, në mënyrë që këtyre problemeve t’i jepet fund njëherë e mirë.

Top Channel