Kosova rebelohet për vizat, Thaçi: Populli mund të zhgënjehet

16/12/2015 09:45

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar tonet kritike ndaj Bashkimit Europian, një ditë pas konkluzioneve të Këshillit Europian, në veçanti për liberalizimin e vizave.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi tha se, Kosova ka implementuar në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj shtoi se paqartësia e Brukselit gjatë këtyre ditëve paraqet një vonesë absurde dhe mund të çojë në zhgënjimin e qytetarëve.

Thaçi deklaroi gjithashtu se, Brukseli duhet ta dijë që shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë kushtetuese dhe mund të marrin nënshtetësi të dytë në Shqipëri apo Maqedoni, por ai paralajmëroi se kjo do të ngjallte rreziqe të reja politike, ashtu sikurse edhe mundësinë e zhgënjimit qytetar deri në protesta.

“Vlerësoj që Bashkimi Europian duhet t’i japë fund këtij fjalori, duke thënë thjesht se ‘Kosova duhet të jetë optimiste, po shihet dritë në fund të tunelit’. Ne nuk jemi të verbër, e shohim mirë situatën. Natyrisht që duhet të na respektojë ashtu siç jemi, me një tolerancë maksimale dhe shembull si politike, edhe shumetnike e fetare. Kështu që sot, qytetarët e Kosovës, nëse nuk ndodh rekomandimi gjatë këtyre ditëve për liberalizimin e vizave, me të drejtë duhet të ndihen jo të zhgënjyer, por të fyer. Dhe me të drejtë, e gjithë skena politike dhe qytetare, shoqëria civile, mediat, mund të protestojnë kësaj radhe para selisë së zyrës së BE-së në Kosovë. Dy milionë qytetarë të Kosovës, për padrejtësitë dhe diskriminimin e Bashkimit Europian, në raport me liberalizimin e vizave. Natyrisht, protestë të qetë”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Pasi dëgjoi deklaratën e Thaçit, kryeministri Isa Mustafa tha se ka biseduar gjatë mëngjesit me shefin zyrës së BE-së në Kosovë, i cili i ka premtuar se raporti për liberalizimin e vizave do të dalë gjatë ditëve në vijim.

“Sot në mëngjes kam zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Më ka njoftuar se dokumenti, i cili është dhënë dje, nuk është dokument që vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave, por që ka të bëjë me zgjerimin dhe se, vlerësimi lidhur me plotësimin e kushteve për liberalizim do të jepet gjatë ditëve në vijim. Unë i kam shprehur shqetësimet dhe brengosjen tonë lidhur me vonesën e këtij procesi, si dhe kërkesën që Bashkimi Europian të vendosë në mënyrë të drejtë, të marrë vendim të drejtë politik, sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në fund të diskutimeve për liberalizimin e vizave, Qeveria miratoi një deklaratë, në të cilën thekson se, Kosova pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e saj të bëhet realitet pa vonesa të mëtejshme dhe të gjitha këto veprime, – sipas deklaratës së qeverisë, – janë të pashmangshme dhe do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016.

Top Channel