Sepp Blatter “shfryn”: Nuk jam Djalli

16/12/2015 11:00

Për Sep Blatter ka ardhur momenti i së vërtetës. Presidenti i FIFA-s do të shfaqet përballë Komisionit të Etikës së këtij institucioni për t’u gjykuar dhe ndëshkuar për akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion, gjë që më pas do ta bëjë edhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini. Kjo situatë nuk pranohet nga Blatter, i cili ka shfaqur sërish një lloj revolte, këtë radhë në një intervistë të zgjeruar për “La Gazzetta dello Sport”.

“Kërkojnë skualifikim të përjetshëm për mua dhe Platininë, por nuk e kuptoj se çfarë kemi bërë. Nuk është se morëm paratë e FIFA-s dhe u arratisëm apo vramë dikë. Unë nuk jam Djalli. Jam i tronditur, pasi më pezulluan për 90 ditë pa dëgjuar versionin tim të fakteve. Kjo është kundër të drejtave të njeriut. U kam shkruar të gjitha federatave që ta dinë se jeta ime nuk është pushtuar nga paratë e fituara padrejtësisht. Gjithnjë i kam paguar detyrimet e mia. Po përjetoj një situatë që duket si një inkuizicion. Për më tepër, nuk ka kuptim fakti që e mësova nga media që do të skualifikohem përjetë dhe që do të paguaj një gjobë prej 600 mijë frangash. Kjo del kundër principit të konfidencialitetit dhe Komisioni i Disiplinës duhet të ndërhyjë”, tha Blatter, i cili më pas foli edhe për shifrën e famshme prej 1.8 milionë eurosh të dhënë për llogari të Platinisë, i cili së fundmi u kthye në armikun e tij.

“Në fund të vitit 1998, Michel Platini më tha se donte të punonte me mua dhe unë e pranova kërkesën e tij. Lidhëm një marrëveshje verbale me të, ku pranova pagesën e tij prej 1 milionë eurosh. Nuk është se bëhej fjalë për një projekt për të ndihmuar vendet e varfra apo kalendari i futbollit ndërkombëtar. Platini ka bërë një punë të mirë. Është një njeri i ndershëm, por tani jo e gjithë Evropa e mbështet. Shumë janë me mua dhe kundër tij. Me Platininë nuk flas që nga 24 shtatori”, tregoi Blatter.

Top Channel