Kerry, në Moskë për të përgatitur bisedimet mbi Sirinë

16/12/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry bëri sërish njëfarë presioni gjatë së martës, në përpjekje për të organizuar një raund të ri bisedimesh, me qëllimin për t’i dhënë fund luftës civile siriane, gjë që do të vendoste gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në strategji më të përafërta në luftën kundër Shtetit Islamik.

Pas një udhëtimi të zgjatur në kohë në Paris, ku u zhvilluan bisedime për ndryshimet klimatike dhe masat që duhen ndërmarrë, kryediplomati Kerry takoi për rreth 4 orë gjatë mbrëmjes së të martës Presidentin Vladimir Putin në Kremlin, në bisedime që synojnë të sheshojnë dallimet mbi raundin e planifikuar të negociatave për Sirinë, të programuara për t’u mbajtur në Nju Jork ditën e premte.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përplasur prej kohësh mbi Sirinë, teksa Moska qëndron e palëkundur në krah të Presidentit Bashar al-Assad, ndërsa Uashingtoni mbështet rebelët që kërkojnë rrëzimin e tij. Një përpjekje e mëparshme për të ndërmjetësuar një zgjidhje të konfliktit dështoi, ndaj dhe mbetet ende e paqartë nëse dy palët do të arrijnë këtë herë një kompromis.

Mes çështjeve për t’u përcaktuar përpara bisedimeve të propozuara është fakti se, mes dhjetëra milicive që luftojnë në Siri duhet folur vetëm për opozitën siriane, ndërkohë që pritet të vendoset se cilat prej tyre do të konsiderohen si organizata terroriste.

Të martën, diplomatët respektivë thanë se kishin ngushtuar hendekun mbi përcaktimin se cilat prej milicive siriane duhen përfshirë në listën e terrorizmit. Një listë përfundimtare mund të jetë gati ditën e premte, tha Kerry.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se vendi i tij duhet të pranojë një delegacion të grupeve të opozitës siriane gjatë negociatave të së premtes, nëse ata do të mbërrinin nën kujdesin e një moderatori të Kombeve të Bashkuara; edhe pse më herët Moska kishte thënë se grupet e konsideruara terroriste prej saj nuk duhet të marrin pjesë në delegacion.

“Nuk ka aspak dyshim se, kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia punojnë së bashku, të dy vendet tona përfitojnë dhe besoj se edhe të tjerët përfitojnë, – tha ai. – Pavarësisht dallimeve mes nesh, ne kemi treguar se kur vendet tona ulen bashkë, sigurisht që arrihet progres”.

Progresi përfshin edhe hapat, pavarësisht se paraprake dhe disi penguese, drejt koordinimeve më të ngushta mes amerikanëve dhe rusëve në luftën kundër Shtetit Islamik, duke grumbulluar forcën goditëse të dy vendeve drejt një objektivi të vetëm: ISIS.

Putin, i cili mezi po pret që të thyejë izolimin për shkak të krizës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë, ka nxitur që Rusia t’i bashkohet koalicionit të gjerë kundër Shtetit Islamik. Për momentin, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se koordinimi është i kufizuar në nivel teknik, si dhe synon të paktën të shmangë përplasjet në ajër mbi Siri.

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Europian dhe vendet e Lindjes së Mesme kanë rënë dakord në Vjenë, muajin e kaluar, për një afat dyvjeçar brenda të cilit të zhvillohen zgjedhjet e reja në Siri, por lanë ende të pazgjidhur fatin e Presidentit Assad.

Javën e kaluar, një sërë figurash opozitare siriane formuan një trupë të re për të mbikëqyrur negociatat e paqes dhe këmbëngulën për largimin e Bashar al-Assadit. Por, John Kerry u duk më i kujdesshëm sesa herët e kaluara, për të theksuar këmbënguljen amerikane për largimin e Assadit nga pushteti, në mënyrë që të arrihet zgjidhja. Shtetet e Bashkuara – tha ai, – nuk synojnë largimin e Assadit në vetvete, por e konsiderojnë të pamundur që ai të kryesojë një zgjidhje të suksesshme.

“SHBA-të dhe partnerët tanë nuk synojnë ndryshimin e regjimit në Siri, – tha Kerry. – Grupet e opozitës siriane, që do të mbërrijnë për bisedime të premten në Nju Jork, nuk duhet të kërkojnë si parakusht të uljes në bisedime largimin e Assadit në mënyrë të menjëhershme, pasi këtë pozicion, Rusia e quan si dështim ende pa filluar negociatat”.

“Ne e shohim Sirinë mbi parime fundamentale dhe në mënyrë të ngjashme – tha më tej Kerry. – Duam të njëjtin produkt nga negociatat, shohim të njëjtat rreziqe para uljes në tryezë, sikurse edhe kuptojmë shumë mirë të njëjtat sfida që na kanosen”. Ai shtoi më tej se dy vendet janë “të ndershme për dallimet mes tyre”.

Kerry e ka konsideruar gjetjen e një zgjidhje politike në Siri, si një prioritet për të mposhtur grupin terrorist të Shtetit Islamik, që ka gjetur “parajsën” në rajonet sunite të Sirisë lindore dhe Irakut perëndimor.

Top Channel