Republikanët, debatin e fiton Jeb Bush; përplasen Trump, Rubio, Paul dhe Cruz

16/12/2015 00:00

Debati i parë televiziv i kandidatëve presidencialë republikanë, që prej sulmeve të Parisit dhe ngjarjes së San Bernardinos, dy episode dhune që kanë ushqyer frikën e terrorizmit te votuesit amerikanë, pati në fokus sigurinë dhe politikën e jashtme.

Donald Trump e mbrojti propozimin e vet debatndjellës për t’u ndaluar myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara. “Është siguria në lojë këtu dhe jo besimi”, ishin komentet e manjatit të pasurive të paluajtshme, që polemikën e ka kthyer në kartën fituese të fushatës së tij.

Edhe pse me deklaratat që bën, Trump nuk resht së ngjalluri debate, sondazhet e rendisin në krye të garës për nominim brenda kampit republikan.Kundërpërgjigjja më e fortë në debat i erdhi nga ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, i cili e fshikulloi duke e cilësuar “një kandidat kaotik” e të “çekuilibruar”.

“Ta kesh të qartë një gjë: nuk do të arrish ta çash me ofendime rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë”, tha Jeb Bush.

Miliarderi njujorkez u gjend që në fillim të debatit në mbrojtje. Në përballjen e fundit të këtij lloji për 2015-n, konkurrentët u përpoqën të rrëzonin kryesuesin e garës, por duket se fitorja këtë radhë i takoi Jeb Bushit.

Ai, më shumë nga të gjithë të tjerët, e sulmoi Trumpin drejtpërdrejt dhe po të kishte treguar të njëjtën këmbëngulje e vendosmëri disa muaj më parë, fushata e tij sot do të kishte një formë shumë më të mirë.

Përplasjet, megjithatë, nuk ishin vetëm me Trumpin. Shkëndija prodhuan dhe goditjet që shkëmbyen mes tyre Marco Rubio, Rand Paul dhe Ted Cruz. Gjakrat mes Rubios dhe Cruzit u ndezën sidomos për çështjen e emigracionit, ku të dy senatorët përsëriten sulmet që nuk ia kanë kursyer njëri-tjetrit edhe përgjatë fushatës.

Cruz e kryqëzoi rivalin për punën e bërë në një projektligj të Senatit në 2013-n, i cili i hap rrugën e nënshtetësisë emigrantëve të ndodhur në vend ilegalisht. Kur erdhi fjala tek objektivat e mbikëqyrjes qeveritare dhe mënyrat sesi t’i jepet fund konfliktit sirian, aty mosmarrëveshje patën që të gjithë, ndërsa Trump propozoi kontroll të rreptë të internetit, me qëllim frenimin e rekrutimeve të ISIS-it.

Top Channel